Sot shënohet 25 vjetori i daljes publike të UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari

28.11.2022

Sot Shqipëria feston 110 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali dhe udhëheqësit tjerë shqiptarë nga të gjitha vendbanimet shqiptarë ngritën flamurin në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. Poashtu në po të njëjtën datë, pra më 28 nëntori përveç Ditës së Flamurit, shënohen edhe shumë festa të […]

Sot shënohet 25 vjetori i daljes publike të UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari Foto: Ilustrim

Sot Shqipëria feston 110 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali dhe udhëheqësit tjerë shqiptarë nga të gjitha vendbanimet shqiptarë ngritën flamurin në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

Poashtu në po të njëjtën datë, pra më 28 nëntori përveç Ditës së Flamurit, shënohen edhe shumë festa të tjera.

Ndër to është ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, si dhe shënon daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Adem Jashari ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj.

Policia serbe kishte shënjuar që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin.

Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike. Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit.

Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sot më 28 nëntor, gjithashtu shënohet 25 vjetori i daljes së parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), më 28 nëntor të vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Ndërkaq, ajo që bëri që UÇK-ja të bëjë publike aktivitetet, ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më parë nga forcat serbe.

Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalë për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK-së.

Deklarata e UÇK-së për paraqitjen e saj të parë publike u përgatit nga vetë ushtarët e saj.