Shtrenjtimi i energjisë elektrike, buka pritet të jetë produkti i parë që shtrenjtohet
Vendimi i fundit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 16.1% ka shkaktuar shqetësim të madh në mesin e afaristëve kosovarë, veçanërisht tek prodhuesit.
Pasojat e këtij shtrenjtimi pritet të jenë të menjëhershme, duke filluar me rritjen e çmimit të bukës, një nga produktet bazë për qytetarët.
Rexhep Rama, pronar i një fabrike mielli në Kosovë, ka paralajmëruar se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të sjellë automatikisht edhe rritjen e çmimit të miellit, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e bukës. Sipas tij, çmimi i një buke mund të arrijë deri në 80 centë. Në të kundërt, fabrikat e miellit rrezikojnë të falimentojnë për shkak të kostove të larta të prodhimit.
“Çmimi i rrymës u rrit shumë. Do ta kemi problem ne, ashtu kështu kemi pasur një çmim jo të mirë, e tash pas kësaj rritje do të rrezikojmë t’i mbyllim fabrikat krejt sepse nuk mund ta përballojmë. Ndërsa rritja do të ndikojë me patjetër sepse me këtë çmim nuk do të mund të punojmë. Ne e rrisim çmimin e miellit, furrtarët të bukës. Me këtë çmim aktual nuk mund të punojmë, sepse në Gjilan një bukë është 60 cent ndërsa tash pas rritjes shkon deri në 70/80 cent. Një kilogram miell është 34 cent, tash patjetër duhet të bëhet 40 cent sepse nuk mund të mbulohemi”, ka deklaruar Rama për RTV21.
Përveç bukës, afaristët paralajmërojnë se rritje çmimesh pritet të ketë edhe në pothuajse të gjitha artikujt e tjerë. Ata vlerësojnë se rritja e vazhdueshme e çmimeve, qoftë e faturave apo e produkteve ushqimore, është shkaktari kryesor i migrimit të madh të qytetarëve nga Kosova.