Shtatori i festës së artë në Suharekë, edhe këtë vit organizohet “FESTARI”

18.09.2023 Lajme
Nga data 18 shtator në Suharekë fillon Festivali i Kulturës dhe i Verës, i njohur me emrin “Festari”.
Festivali organizohet për çdo vit dhe këtë vit mbahet edicioni i 22-të, që është festë e të rinjve dhe e vjeljes së rrushit.
Ky festival është festë e rinisë, ngase bartës të projektit janë të rinjtë e kësaj komune, ndërsa “Festari” nga suharekasit cilësohet edhe si festë e artë, sepse gjatë kësaj feste krijohen vlera të reja shpirtërore, humane, artistike e sportive.
Edhe këtë vit “Festari” pritet të ketë një program të pasur dhe gjithëpërfshirës. Ky festival tashmë është tradicional dhe realizohet në javët e fundit të muajit shtator.
Rrushi dhe përpunimi i verës është karakteristikë mijëvjeçare e trevës së Suharekës, andaj edhe “Festari” përkon me gëzimin e vjeljes së rrushit dhe të përpunimit të verës. Festivali i kulturës dhe i verës “Festari” do të nisë më 18 shtator dhe do të përfundojë më 23 shtator 2023.

