Shoqata e Pacientëve i mirëpret masat e reja të Qeverisë kundër COVID-19

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) i ka mirëpritur masat e reja të marra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në njoftimin e tyre thuhet se marrja e masave nga ana e Qeverisë nuk është një zgjidhje alternative por obligative.

“Të vdesin prindërit e gjyshërit tanë të cilët na rritën ne dhe ndërtuan këtë vend, e ne si shoqëri të sillemi sikur nuk po ndodhë asgjë, është jo humane dhe jo etike. Ne e kuptojmë që shëndeti i ekonomisë është më i rrezikuar se asnjëherë tjetër, por pa një shëndet publik edhe ai ekonomik nuk do të na duhet. Gastronomia duhet ta merr pjesën e vet të përgjegjësisë që ka sa i përket shëndetit publik edhe pse i bie barra më e madhe. Por këtë rregull e ka përcaktuar virusi dhe askush tjetër”.

“Ftojmë të gjithë akterët politik, shoqërinë civile, mediat, bizneset dhe të gjithë qytetarët që së bashku ta luftojmë pandeminë dhe përhapjen e saj. Pa një aleancë të përbashkët, pandemia do të triumfojë dhe vdekjet do të jenë të pa shmangshme”.

“Nga SHSKUK kërkojmë që menjëherë të rikthehen shërbimet shëndetësore që janë ndërprerë për pacientët JO-COVID. Ndërprerja është zgjidhja më e lehtë për ta, por më e vështirë për qytetarët. Ata duhet ta dijnë se aty janë për interesin e qytetarëve jo për të tyre. Ne e kuptojmë se funksionimi normal i këtyre shërbimeve nuk mund të bëhet, por ai duhet të organizohet në atë formë të termineve që nuk e rrezikon as shëndetin e pacientëve, e as të personelit shëndetësor. Shembuj të mirë për këtë janë Klinika e Gjinokologjisë, Neonatologjisë, Onkologjisë etj. Ndërprerje e shërbimeve shëndetësore, në emër të mbrojtjes së shëndetit publik nuk shpie në një logjikë normale”, thuhet në njoftim.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.