Rutte: Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për ngjarjet në Banjskë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë vizitës në Kosovë, ka theksuar përkushtimin e Aleancës Veri-Atlantike ndaj sigurisë dhe stabilitetit në vend.
Ai ka deklaruar se prania e tij në Kosovë është dëshmi e qartë e këtij angazhimi.
Rutte ka vënë në pah se NATO ka shtuar praninë e trupave të KFOR-it në Kosovë, duke katërfishuar numrin e ushtarëve në veri dhe trefishuar praninë fizike të KFOR-it në atë zonë. Sipas tij, ky veprim dëshmon përpjekjet e Aleancës për të qenë një faktor stabiliteti jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
Sa i përket ambicieve të Kosovës për anëtarësim në NATO, Rutte ka theksuar se fillimisht duhet adresuar disa çështje, si mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga disa shtete anëtare të Aleancës.
Në lidhje me shqetësimet e liderëve kosovarë për kërcënimin që paraqet Serbia për stabilitetin e vendit dhe rajonit, Rutte ka deklaruar se NATO mbetet neutrale, por ka nënvizuar nevojën që Serbia të mbajë përgjegjësi për ngjarjet e vitit 2023 në Banjskë. Ai ka bërë thirrje për rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ndërtimi i mirëbesimit është thelbësor për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.
Në lidhje me shqetësimet për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Evropa, Rutte ka siguruar se SHBA mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe se do të vazhdojë të luajë një rol kyç në ruajtjen e sigurisë në rajon.