Rritja e rasteve me COVID-19, kryetari i SBASHK-ut deklarohet për aplikimin e mësimit online

19.01.2022

Nga fillimi i këtij muaji në vend tonë ka filluar të ketë rritje të rasteve të infektimeve me COVID-19. Institucionet shëndetësore dhe shtetërore vazhdimisht janë duke bërë thirrje për vaksinim kundër COVID-19 si dhe respektim të masave anti-COVID, pasiqë këto janë armët më të forta që luftojnë pandeminë. Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit […]

Nga fillimi i këtij muaji në vend tonë ka filluar të ketë rritje të rasteve të infektimeve me COVID-19.

Institucionet shëndetësore dhe shtetërore vazhdimisht janë duke bërë thirrje për vaksinim kundër COVID-19 si dhe respektim të masave anti-COVID, pasiqë këto janë armët më të forta që luftojnë pandeminë.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë për vitin shkollor 2021/2022, u ka bërë thirrje nxënësve dhe stafit të mësimdhënësve që të respektojnë masat anti-COVID, pasiqë shkollat janë të parat që duhet të hapen dhe të fundit që të mbyllen.

Në shkollat e Komunës së Suharekës fatmirësisht gjendja me pandeminë COVID-19 është e qetë, ku drejtori i Arsimit në komunën tonë, Remzi Bajselmani për SuharekaOnline ka thënë se është vetëm një mësimdhënëse e infektuar me këtë virus në shkollën fillore në Leshan, ndërsa përpos kësaj nuk ka asnjë nxënës apo mësimdhënës të infektuar.

Rritja e numrit të rasteve pozitive me COVID-19 po vazhdon nga dita në ditë, ku vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 720 raste të infektimeve me COVID-19.

Po ashtu, para disa dite është bërë e ditur se shkolla fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë ka kaluar në skenarin C të mësimit, pra në online, kjo për shkak të rritjes së numrit të rasteve pozitive me COVID-19 te mësimdhënësit dhe nxënësit.

Nga MAShTI kanë bërë të ditur se janë Task Forcat në nivel komune që e bëjnë vlerësimin dhe marrin vendime se me cilin skenar do të zhvillohet procesi mësimor, por nuk kanë bërë të ditur se sa është numri i shkollave në nivel vendi që kanë kaluar në skenarin C, në mësimin online.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), Rrahman Jasharaj në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se është shqetësuese rritja e rasteve më coronavirus në institucionet arsimore.

Megjithatë, Jasharaj thotë se mësimdhënësit janë të gatshëm të punojnë edhe online.

“Është shumë shqetësuese kjo ngritja e rasteve në nivel vendi, por fatkeqësisht kemi raste që po rriten edhe në institucione arsimore. Mësimdhënësit e Kosovës janë deklaruar se janë të përkushtuar që mësimin ta mbajnë në institucionet arsimore, pra me prani fizike, por gjithashtu ata janë deklaruar se do të mobilizohen edhe janë të gatshëm edhe për  versione të tjera, por që për këtë vendos Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arismit”, është shprehur ai.

Kreu i SBASHK-ut thotë se Task Forcat nëpër shkolla janë duke e përcjellë gjendjen sa i përket coronavirusit.

“Ajo çfarë dihet është se task forcat nëpër shkolla janë duke e përcjell gjendjen dhe i kanë rekomandimet se si duhet vepruar në bazë të numrit të prekurve. Uroj mos të na shtohen këto raste me coronavirus brenda shkollave, sepse pastaj duhet menduar MASHT-i edhe për forma të tjera të punës. Sidoqoftë ne do të jemi të gatshëm nëse vendoset për të punuar në mësim online”, thotë Jasharaj, për Telegrafin.

Mirëpo, Jasharaj shtoi tutje se mësimi online është më i vështirë, për shkak se jo të gjithë janë të pajisur me pajisje teknologjike.

“Edhe pse është dëshmuar se është mësim goxha i vështirë, aq më tepër kur shteti ynë nuk ka bërë shumë për shkolla që t’i furnizojë me pajisje teknologjike. Mësimdhënësit kanë probleme, sepse një pjesë e tyre duhet të huazojnë laptopë. Po ashtu është problem edhe për shkak të dimrit, sepse ka prej tyre që e kanë vetëm një dhomë me ngrohje dhe është problem që të realizojnë procesin mësimor. Po ashtu, disa nxënës që jetojnë në kushte të vështira nuk kanë telefona të mençur, apo laptopë. Do të ishte më mirë që mësimdhënësit të punojnë në shkolla, task forca pëndryshe do të veprojë dhe mësimdhënësit do të veprojnë ashtu si të merret vendimi”, ka theksuar Jasharaj.