Raporti i Borrellit për Kosovën në proces të finalizimit

28.05.2024

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Jospe Borrell akoma nuk e ka përfunduar raportin lidhur me mundësinë e heqjes së masave ndaj Kosovës. Krejt çfarë kanë të thonë zyrtarët nga kabineti i tij, është se raporti është në proces të finalizimit.

Raporti i Borrellit për Kosovën në proces të finalizimit Foto: Ilustrim

Peter Stano, zëdhënës i BE-së ka tërhequr vërejtën se njëjtë sikur ekzistonin arsyet për vendosjen e masave e që ishin të lidhura me ngjarjet në terren, ashtu edhe ngjarjet e fundit do jenë pjesë përbërëse  e raportit të Borrellit.

Këtu para së gjithash, zyrtarët evropianë kanë parasysh operacionin policor të 20 majit, i cili rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

“Masat janë vendosur me qëllim të motivimit të autoriteteve të Kosovës që të punojnë drejt de-përshkallëzimit. Natyrisht, gjithçka që po ndodh në terren, e që ka ndikim negativ në përpjekjet që çojnë në uljen e përshkallëzimit, po merret në bazë dhe përfshihet në raport”, ka thënë Stano.

Ajo çfarë merret vesh nga burimet mirë të informuara evropiane, raporti i Josep Borrell është dashur të dorëzohej tek shtetet anëtare të BE-së më së voni në fund të muajit maj. Në këtë raport ishte shpresuar që të përfshihet rekomandimi për heqjen e masave, dhe e vetmja e panjohur ishte nëse ato do hiqen krejtësisht apo në mënyrë graduale.

Gjithnjë sipas këtyre burimeve, operacioni i të hënës së kaluar në veri ka bërë që të shtyhet finalizimi i raportit në mënyrë që edhe këto veprime të autoriteteve kosovare të merren parasysh.

Shumica  e vendeve anëtarë te Bashkimit Evropian, në javën e tretë të prillit, menjëherë pas mbajtjes së votës së përsëritjes në katër komunat e veriut, ishte shprehur në favor të heqjes së masave ndaj Kosovës, të cilat ishin vendosur në qershor të vitit 2023.

Kjo ishte arsyeja përse kanë kërkuar nga shefi i diplomacisë evropiane që të përpilojë raportin në fjalë dhe rekomandimet e tija në raport do shërbejnë si bazë për kthimin e kësaj çështje në agjendë dhe shqyrtimin e mundësisë së heqjes së masave.