Programi i Qeverisë po favorizon skemat sociale

10.05.2021

Programi i Qeverisë i prezantuar gjatë javës së kaluar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të duhej të ishte më i detajuar, thotë kryetari i Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi. Ndërkaq profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu ka thënë se programi i Qeverisë më shumë ka një komponentë sociale sesa zhvillimore. Në programin e Qeverisë […]

Programi i Qeverisë po favorizon skemat sociale Foto: Ilustrim

Programi i Qeverisë i prezantuar gjatë javës së kaluar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të duhej të ishte më i detajuar, thotë kryetari i Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi.

Ndërkaq profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu ka thënë se programi i Qeverisë më shumë ka një komponentë sociale sesa zhvillimore.

Në programin e Qeverisë parashihet që asnjë qytetar të mos jetojë në varfëri ekstreme.

Ndërsa për realizimin e kësaj Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti ka në plan reformimin e skemave sociale dhe aktivizimin e fuqisë punëtore.

Po ashtu në planprogramin qeverisës është paraparë edhe një lloj rimbursimi për familjet e varfra, por që nuk jepen detaje se si do të bëhet.

Në raportin e Progresit për Kosovën të Komisionit Evropian vlerësohet se rreth 18 për qind e popullsisë jeton nën vijën e varfërisë, me 45 euro në muaj si dhe 5.1 për qind e popullsisë nën vijën e varfërisë ekstreme, me nën 1.90 dollar në ditë.

Gërxhaliu thotë për Radion Evropa e Lirë se me një buxhet prej mbi 2.4 miliardë euro sa ka Kosova në këtë vit është vështirë të realizohen pikat e planit të Qeverisë.

Gjitashtu Gërxhaliu ka shtuar se i mungon ndarja kohore afatshkurtë, afatmesme apo afatgjate.

Ai shton se për zbatimin e planit, bashkëpunimi publiko – privat dhe dialogu mes opozitës dhe pushtetit duhet të jetë prioritet. 

Pjesë integrale e planit të qeverisë së Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik janë edhe diaspora.

Sipas këtij plani përmes krijimit të instrumenteve për investim, do të sigurohet që kapitali i diasporës do të kanalizohet në investime që krijojnë vende pune. Prandaj duke filluar nga ky vit, do të emetohen bono thesari të dedikuara vetëm për mërgatën.

Ndryshe, problemet ekonomike dhe sociale, Kosovën e kanë përcjell ndër vite./REL/