Prej 6 muaj deri në 10 vjet burgim për ata që kryejnë vepra penale kundër së drejtës për votim

17.10.2021

Deri tani është arrestuar një person në Suharekë për pengim të procesit të votimit, si dhe dje janë arrestuar katër persona në Kllokot për blerje të votës. “Me urdhër të prokurorit të Shtetit, Policia e Kosovës ka ndaluar një (1) person, në Komunën e Suharekës, për veprën penale “Pengimi i procesit të votimit’’ nga neni […]

Prej 6 muaj deri në 10 vjet burgim për ata që kryejnë vepra penale kundër së drejtës për votim Foto: Ilustrim

Deri tani është arrestuar një person në Suharekë për pengim të procesit të votimit, si dhe dje janë arrestuar katër persona në Kllokot për blerje të votës.

“Me urdhër të prokurorit të Shtetit, Policia e Kosovës ka ndaluar një (1) person, në Komunën e Suharekës, për veprën penale “Pengimi i procesit të votimit’’ nga neni 214 i KPRK-së. Prokurori i Shtetit njofton opinionin se i dyshuari ka penguar procesin e votimit duke prishur rendin dhe qetësinë dhe më pas e ka thyer dritën fluoreshente. Me urdhër të prokurorit të Shtetit i njëjti është në ndalim”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se “Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre ligjore, në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit, andaj inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për ç’do rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor”.

Ndërsa, koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, ka vlerësuar se procesi zgjedhor deri tani është duke shkuar mirë.

“Ka kalu vetëm gjysmë dite, atëherë mund të them se procesi zgjedhor është duke shkuar shumë mirë. Nuk kemi raste të cilat kanë mundur ta cenojnë në përgjithësi procesin zgjedhor, kemi vetëm dy raste të evidentuara, ku kemi arrestuar pesë persona, katër prej tyre janë në komunën e Kllokotit, dhe një person në Suharekë për veprat penale që lidhen me të drejtën e votimit”, ka thënë ajo në RTV Dukagjini.

Gjithashtu, Pula ka thënë se janë 11 vepra penale kundër së drejtës për votim, ku ka shtuar se ndëshkueshmëria e tyre fillon nga gjashtë muajt deri në dhjetë vjet burgim.