Orav dhe Kurti diskutojnë zhvillimet politike, BE-ja rikonfirmon mbështetjen për Kosovën
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Orav përmes një postimi në platformën “X”, ku ai ka theksuar se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt përparimit dhe stabilitetit.
“Diskutuam zhvillimet e fundit politike dhe bashkëpunimin tonë në agjendën e BE-së në Kosovë. BE-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur në hapjen e rrugës për përparim dhe stabilitet”, ka shkruar Orav.
Takimi vjen në një kohë kur Kosova po përballet me sfida të ndryshme politike dhe ekonomike, dhe mbështetja e Bashkimit Evropian konsiderohet e rëndësishme për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.