Nga sot shkollat dhe çerdhet do të fillojnë punën

27.09.2021

Ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të filluar vitin e ri shkollor dhe se mbi 90% e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që punon në shkolla janë vaksinuar. Po ashtu, MASHTI ka bërë hartimin e udhëzuesit për organizimin […]

Nga sot shkollat dhe çerdhet do të fillojnë punën Foto: Ilustrim

Ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të filluar vitin e ri shkollor dhe se mbi 90% e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që punon në shkolla janë vaksinuar.

Po ashtu, MASHTI ka bërë hartimin e udhëzuesit për organizimin e procesit mësimor në kushte të pandemisë me COVID-19, udhëzues ky i cili parasheh 4 skenarë për zhvillimin e mësimit.

Skenari më i preferuar për zhvillim të procesit mësimor është ai për rikthim në shkolla me prani fizike, por që në rast se situata me pandeminë COVID-19 është më e rënduar, atëherë task-forcat në nivel komune mund të marrin vendim për të kaluar në ndonjë nga skenarët tjerë.

MASHTI, në bashkëpunim me UNICEF, ka ofruar për të gjitha shkollat mundësinë e qasjes në platformën mësimore www.shkollat.org, të bazuar në teknologjinë e Microsoft, ku, përveç sistemit për menaxhimin e mësimit në distancë janë publikuar edhe video-mësimet sipas programit mësimor të klasave 1-9.

Për t’u regjistruar në platformë shkollat duhet të dërgojnë një e-mail në adresën ndihma@shkollat.org, ndërsa së shpejti do të publikohen edhe numrat e telefonit përmes të cilave do të ofrohet përkrahja teknike për shfrytëzuesit. Shkollat janë të lira të shfrytëzojnë edhe platforma dhe aplikacione të tjera me të cilat janë akomoduar si: Google Workspace for Education, eShkollori, Zoom, etj.

Prej datës 27 shtator 2021 fillon emetimi i video-mësimeve në kanalin RTK4, çdo ditë pune, prej orës 9.00-16.00, sipas orarit të përgatitur nga MASHTI: https://masht.rks-gov.net/…/orari-i-transmetimit-per…

Po këto video-mësime gjenden edhe në kanalin zyrtar të MASHTI – https://emesimi.rks-gov.net/shq/.

Video-mësimet mund të shfrytëzohen gjatë zhvillimit të mësimit online, por edhe për përforcimin e njohurive nga nxënësit që vijojnë mësimin me prezencë në shkollë.

Në vitin shkollor 2021/22 klasa e pestë punon me programe të reja, andaj video-mësimet për këtë klasë do të kufizohen vetëm në lëndët gjuhë amtare, matematikë, njeriu dhe natyra, gjuhë angleze dhe artet.

MASHTI thekson se përkundër progresit në vaksinimin e popullsisë, e në veçanti të punonjësve të arsimit, ky vit shkollor mund të jetë shumë sfidues.