Ndryshojnë testet për patentë shofer në Kosovë, sistemi i ri hyn në fuqi më 18 shkurt

30.01.2025

Disa javë më parë, autoshkollat në rrjetet sociale raportuan se pyetjet në testet për patentë shofer në Republikën e Kosovës do të ndryshojnë. Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

Sipas MMPHI, ky sistem i ri i testimit për kandidatët që do t’i nënshtrohen testimit për patentë shofer të kategorisë B do të ketë ndryshime në pyetjet e përditësuara dhe një format të ri të testit.

“Do të implementohet një sistem i ri testimi për të gjitha kategoritë, që përfshin pyetje të përditësuara dhe një format të ri të testit. Ky sistem synon të përmirësojë procesin e testimit dhe të sigurojë që kandidatët të kenë njohuri të përditësuara mbi rregullat e trafikut dhe sigurinë rrugore. Me publikimin e doracakut zyrtar, kandidatët kanë një burim të standardizuar për përgatitje, duke mundësuar një qasje më të strukturuar dhe të unifikuar në mësimin e materialit të nevojshëm për provimin e patentës së shoferit”, thuhet në përgjigjen e MMPHI për rtv21.

Tutje, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për portalin rtv21.tv, thekson se ky sistem pritet të hyjë në fuqi nga 18 shkurti.

“Doracaku u publikua në maj 2024 dhe është në dispozicion për kandidatët dhe autoshkollat që nga ajo kohë. Sistemi i ri i testimit për kategorinë B është planifikuar të hyjë në fuqi më 18 shkurt 2025. Doracaku mbulon të gjitha kategoritë e patentë shoferit, përfshirë kategoritë A, B, C1, C dhe D. Kjo do të thotë se të gjitha këto kategori përfshihen në materialin e ri dhe do të ndryshohen”, bën të ditur MMPHI.

Kjo do të thotë se kandidatët që planifikojnë të marrin patentë shofer pas datës 18 shkurt 2025 duhet të përgatiten për një sistem të ri testimi me pyetje të përditësuara dhe format të ri. Doracaku i ri i publikuar në maj 2024 shërben si burim i standardizuar për përgatitjen e kandidatëve.