“Ndalimi i punësimit në sektorin publik dhe përfitimit të patent-shoferit”, ashpërsohen masat ndëshkuese për dhunuesit

12.10.2022

Gjatë ditës së sotme Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen 100-të me radhë, ku ka miratur një sërë vendimesh. Në mbledhjen e 100-të, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal, kjo që ashpërson dënimet ndaj personave që shpallen fajtorë për veprat penale si: “Dhunim”, “Sulm seksual” si dhe “Dhunë në […]

“Ndalimi i punësimit në sektorin publik dhe përfitimit të patent-shoferit”, ashpërsohen masat ndëshkuese për dhunuesit Foto: Ilustrim

Gjatë ditës së sotme Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen 100-të me radhë, ku ka miratur një sërë vendimesh.

Në mbledhjen e 100-të, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal, kjo që ashpërson dënimet ndaj personave që shpallen fajtorë për veprat penale si: “Dhunim”, “Sulm seksual” si dhe “Dhunë në familje”.

Pas përfundimit të mbledhjes, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka mbajtur një konferencë për media, ku ka deklaruar se rishikimi i masave ndëshkuese për kryesit e veprave penale të cekura më lart, është marrë për shkak të rritjes së këtyre rasteve të dhunës në familje dhe sulmeve seksuale.

Po ashtu, ministrja Haxhiu ka treguar edhe ndryshimet kryesore në këtë projektligj të Kodit Penal.

“Ndalimi i blerjes në ankande të shitjes së pronave publike, aseteve publike apo licencave që jepen nga një autoritet publik në çfarëdo shërbimi nga 3-10 vjet.

Ndalimi i aplikimit si investitor strategjik dhe çdo formë tjetër e përfitimit nga privilegjet që jepen nga legjislacioni në fuqi nga 3-10 vjet”, deklaroi Haxhiu para mediave.

Gjithashtu, e para e Ministrisë së Drejtësisë ka bërë të ditur se kryesin e veprës penale dhunimit dhe dhunës në familje do t’u ndalohet e drejta e kandidimit në çdo pozitë publike nga 3-10 vjet, po ashtu ndalimi i punësimit në sektorin publik në të gjitha nivelet, ndërkaq nëse shpallet fajtor për dhunim i ndalohet punësimi në sektorin publik në të gjitha nivelet.

Personi që është shpallur fajtor për veprën penale të dhunimit do ti ndalohet e drejta në përfitimin e patentë shoferit dhe të drejtën në vozitjen e çfarë do automjetit të çfarëdo lloj kategorie nga 1 – 5 vjet.

“Ndalimin e të drejtës së kandidimit në çdo pozitë publike nga 3-10 vjet, personit i cili shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit dhe dhunës në familje. Ndalimin e punësimin në sektorin publik në të gjitha nivelet, personit i cili shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit. Ndalimin e të drejtës në përfitimin e patentë shoferit dhe të drejtën në drejtimin e automjetit në çdo lloj të kategorisë, nga 1-5 vjet, personit që është shpallur fajtor për veprën penale të dhunimit”, tha ajo.

Ministrja Haxhiu ka theksuar se në këtë ndryshim në projektligj kanë paraparë që rastet kur ka të bëjë me veprën penale “Dhunimi”, “Sulm seksual” dhe “Dhunë në familje” kufijtë e zbutjes së dënimeve nuk do të zbatohen.

“Është paraparë edhe një vepër e re sipas të cilës do të ndëshkohet penalisht kushdo që me qëllim të frikësimit ose detyrimit për të vepruar kundër vullnetit të tyre, me dashje ushtron dhunë fizike, psikologjike, seksuale, ekonomike, në formë të drejtpërdrejtë apo indirekte, ndaj grave që ushtrojnë funksione publike ose kandidate për ushtrimin e funksioneve publike dënohet me gjobë dhe me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet, ndërsa nëse vepra penale kryhet në formë të organizuar cilësohet si rrethanë rënduese”.

Ministrja e Drejtësisë ka deklaruar se kanë paraparë edhe si vepër e re penale testimi i virgjërisë.

Sipas ministres Haxhiu, kjo vepër e re penale sanksionohet sepse konsiderohet se ky është test mjekësor i panevojshëm përmes së cilit shkelen të drejtat themelore të njeriut.

Ajo ka shtuar se synimi kryesor është krijimi i infrastrukturës ligjore që përcakton bazë të qartë normative për ndëshkimin e veprave penale kundër grave në jetën publike

“Vlen të theksohet se përmes këtij ndryshimi synimi kryesor është krijimi i infrastrukturës ligjore që përcakton bazë të qartë normative për ndëshkimin e veprave penale kundër grave në jetën publike”, përfundoi Haxhiu.