Mbi 2 milionë euro nga buxheti për automjete zyrtare|Video

11.11.2023

Rreth 2 milionë euro pritet t’i shpenzojnë disa institucione për blerjen e automjeteve zyrtare gjatë vitit të ardhshëm. Vetëm për Ministrinë e Kulturës janë ndarë gjysmë milioni euro për blerjen e automjeteve, e mbi 500 mijë euro për Ministrinë e Kthimit dhe IKSHPK-në. Vetura zyrtare kanë planifikuar të blejnë edhe Komuna e Gjakovës, e Kamenicës […]

Mbi 2 milionë euro nga buxheti për automjete zyrtare|Video Foto: Ilustrim

Rreth 2 milionë euro pritet t’i shpenzojnë disa institucione për blerjen e automjeteve zyrtare gjatë vitit të ardhshëm. Vetëm për Ministrinë e Kulturës janë ndarë gjysmë milioni euro për blerjen e automjeteve, e mbi 500 mijë euro për Ministrinë e Kthimit dhe IKSHPK-në. Vetura zyrtare kanë planifikuar të blejnë edhe Komuna e Gjakovës, e Kamenicës dhe ajo e Fushë Kosovës.

Miliona euro të buxhetit të vitit 2024 pritet të shpenzohen për blerjen e veturave për institucionet publike në Kosovë.

Ministria e Kulturës, e udhëhequr nga Hajrulla Çeku, ka planifikuar gjysmë milioni euro për blerjen e veturave zyrtare, ndërsa 300 mijë euro janë planifikuar për blerjen e veturave nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ndërkaq 250 mijë euro për vetura për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Për monitorimin e projekteve të zhvillimit rajonal, në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm qeveria ka planifikuar mbi 247 mijë euro për vetura.

Me vetura të reja në vlerë prej mbi 102 mijë euro do të furnizohet edhe Zyra e Rregullatorit për Energji.

Blerja e 7 veturave të reja pritet t’i kushtojë 140 mijë euro Zyrës Kombëtare të Auditimit, ndërsa për Zyrën Rregullative të Ujit dhe të Mbeturinave janë ndarë 100 mijë euro për automjete.

Ekzekutivi ka lejuar që të furnizohen me automjete edhe institucionet e tjera publike.

Dy automjete i ka planifikuar t’i blejë Agjencia Kadastrale e Kosovës, që do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 75 mijë euro, kurse 35 mijë euro do të dedikohen për vetura zyrtare për shërbimet rezidenciale.

Me automjete zyrtare në vlerë prej 100 mijë eurosh do të furnizohet edhe Komuna e Gjakovës, e udhëhequr nga Ardian Gjini. Kamenica me kryetar Kadri Rahimaj do të blejë automjete prej 30 mijë. Komunat e Fushë-Kosovës dhe të Klinës kanë planifikuar t?i shpenzojnë nga 20 mijë euro për vetura zyrtare.

Projektligji mbi ndarjet buxhetore prej 3.3 miliardë eurosh është miratuar të mërkurën në Komisionin Parlamentar për Buxhet, derisa më 16 nëntor pritet të shqyrtohet në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.