Kurti takon Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar në Davos

23.01.2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Davos ka zhvilluar një takim me Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Powell.

Në këtë takim u diskutua rreth zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në fund të vitit të kaluar dhe rezultatit të tyre, si dhe për planet dhe projektet e qeverisë për mandatin e ardhshëm qeverisës.

Po ashtu, në fokus të bisedimeve ishin progresi demokratik i Kosovës, rritja ekonomike dhe çështjet e sigurisë rajonale.

Kurti theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet një nga aleatet më të ngushta të Kosovës dhe një nga mbështetëset më të mëdha të popullit të saj, duke ritheksuar angazhimin për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërshtetërore.