Kurti: Nuk është e mundur të mos kemi as subvencionim, as shtrenjtim e as shkyçje të rrymës

31.01.2022

Derisa ka komentuar raportin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Kurti ka theksuar se deri në ora 10:00 do të dërgohen propozimet. “Deri në ora 10:00 do të ketë mjaftueshëm komente të ZRRE-ja në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme, në këtë krizë energjetike. Nuk është e mundur që mos […]

Kurti: Nuk është e mundur të mos kemi as subvencionim, as shtrenjtim e as shkyçje të rrymës Foto: Ilustrim

Derisa ka komentuar raportin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Kurti ka theksuar se deri në ora 10:00 do të dërgohen propozimet.

“Deri në ora 10:00 do të ketë mjaftueshëm komente të ZRRE-ja në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme, në këtë krizë energjetike. Nuk është e mundur që mos të kemi as subvencionim, as shtrenjtim e as shkyçje”, tha kryeministri Kurti.

Ndërkaq, për krizën energjetike të krijuar nga muaji i kaluar në Kosovë, Kurti ka akuzuar edhe mosinvestimet si dhe mirëmbajtjet gjatë viteve të kaluara në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Ai ka shtuar se duhet të marrim parasysh sa më shumë faktorë dhe bashkërisht të dalim nga kjo situatë e krijuar.

“Duhet të marrim parasysh sa më shumë faktorë dhe bashkërisht të dalim nga kjo situatë, ku në njërën anë çmimet e energjisë elektrike janë shtrenjtuar shumë në bursat ndërkombëtare energjetike, ndërkaq në anën tjetër kemi më shumë se dy dekada që kemi pasur zhvatje në KEK dhe jo vetëm dhe mosinvestim në kapacitetet e reja, e mirëmbajtje të atyre ekzistueseve që nuk do të na lejonin të ndodhemi në këtë situatë të rëndë”, është shprehur ai.

Gjithashtu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se pas komenteve të dërguar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE) duhet që të dilet me një vendim meritor.

Ai është shprehur se raporti i ZRrE-së nuk është merre ose leje, pra nuk është as finale e as fatale.

“E ritheksoj se raporti i ZRRE-së nuk është merre ose leje, pra nuk është as finale e as fatale, por është raport që pret komentet dhe shpresoj se pas atyre të kemi një vendim meritor”, përfundoi ai.