Kryetarët e komunave nuk do të marrin pjesë në takimin ku pritet të diskutohet për masat anti-COVID
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) pas konsultimit me kryetar të komunave ka vendosur që të kërkojë nga Kryetarët e Komunave të mos marrin pjesë në takimin e ftuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për ditën e sotme në ora 14:00 për të diskutuar për situatën epidemiologjike në Kosovë. Arsyeja është që […]
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) pas konsultimit me kryetar të komunave ka vendosur që të kërkojë nga Kryetarët e Komunave të mos marrin pjesë në takimin e ftuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për ditën e sotme në ora 14:00 për të diskutuar për situatën epidemiologjike në Kosovë.
Arsyeja është që AKK-ja si përfaqësues dhe trup i komunave nuk është ftuar në këtë takim. MAPL-ja ka ftuar vetëm Kryetarët.
Sipas një komunikate nga ana e AKK-së thuhet se mosftesa për Asociacionin e Komunave të Kosovës bëhet me qëllime përçarëse në mes AKK dhe Kryetarëve.
“Kryetarët e Komunave vlerësojnë se uniteti i Kryetarëve është i domosdoshëm dhe që të gjithë Kryetarët do të mbeten të bashkuar si pushtet lokal që të ruhet ajo që është ndërtuar për më shumë se dy dekada në përfaqësimin e denjë të qeverisjes lokale ndaj nivelit qendror”, thuhet tutje në njoftimin e këtij asociacioni.
Po ashtu, nga AKK-ja kanë thënë se nëse ministritë e injorojnë Asociacionin e Komunave të Kosovës, me automatizëm injorohen vetë Kryetarët dhe Komunat e Kosovës.
“Kryetarët vlerësojnë që pa AKK-në nuk duhet të marrim pjesë në këtë takim meqë nuk është hera e parë që niveli qendror vepron në këtë mënyrë.
Asociacioni i Komunave të Kosovës është i Komunave dhe Ministritë duhet ta shohin atë si aleat e jo ta injorojnë. Nëse ministritë e injorojnë AKK-në, ma automatizim injorohen vetë Kryetarët dhe Komunat e Kosovës.
Vlen të ceket që para një kohe AKK-ja është larguar në mënyrë arbitrare nga komiteti anticovid si dhe ditë më parë Qeveria e Kosovës miratoi plotësim ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale pa konsultime me Kryetarët e Komunave.
I bëjmë thirrje MAPL, Ministrive dhe Qeverisë që të ndalojnë injorimin e AKK-së si përfaqësues i Kryetarëve dhe Komunave në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e AKK-së.