KQZ ka marrë vendim që në të gjitha zgjedhjet të ketë kamera – çfarë thotë drejtori i KDI rreth këtij vendimi

04.04.2024

Vendosja e kamerave në vendvotime është një nga specifikat që ka miratuar së fundmi KQZ. Përveç votimit të 21 prillit, ku vendim do të vlejë edhe për zgjedhjet tjera kurdo që të mbahen ato. Drejtori Ekzekutiv i KDI’së, Ismet Kryeziu, në një përgjigje për Gazetën Express ka folur nëse ky vendim është i ligjshëm.

KQZ ka marrë vendim që në të gjitha zgjedhjet të ketë kamera – çfarë thotë drejtori i KDI rreth këtij vendimi Foto: Ilustrim

Më 28 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar 9 specifika teknike sa i përket mbajtjes së votimit të 21 prillit për shkarkimin ose jo të kryetarëve aktualë në katër komunat veriore.

Një nga këto specifika parasheh vendosjen e kamerave në vendvotime.

Për ta mundësuar këtë, tashmë KQZ ka nënshkruar memorandum me KQZ’në në Shqipëri për të marrë hua kamerat.

Ditën e mbledhjes kur u mor ky vendim një anëtar i KQZ’së ngriti dilemën nëse ky vendim është në përputhje me ligjin.

““Edhe pse votova pro, një dilemë sa i përket çështjes së kamerave në vendvotim nuk po flas për rastin konkret, është çështje që do të përcillet kurdo që mbahen zgjedhjet në krejt Kosovën. A është në përputhshmëri me ligjet aktuale në Kosovë, me cenimin e privatësisë sepse kjo çështje është trumbetuar shumë gjatë në Kosovë. Nuk po flas për rastin konkret sepse kjo do të vlejë edhe për herë tjera por këtu kam dilema, nuk e di nëse është në plotni me kornizën tonë ligjore”, tha Ilir Gashi nga PDK.

Mirëpo anëtari tjetër i KQZ’së, Alban Krasniqi, tha se ky vendim është i paraparë me dy rregullore.

“Dmth vendosja e kamerave regjistruese janë pjesë e dy rregulloreve, ajo për votim dhe për punën e KVV’ve. Në anën tjetër, ligji i ri ia ka dhënë si obligim KQZ’së që gjatë proceseve të votimit dhe numërimit të rritet transparenca dhe kjo është në suaza të asaj transparence. Natyrisht se është e qartë se ruhet fshehtësia e votës, ato vendosen në forma dhe pozita ku sigurohet mbarëvajtja e procesit dhe për çfarëdo rrethane që nesër mund të na duhet, për rezultate apo aspekte tjera, kjo është e zgjidhshme. Për herë të parë po i bjen tash, por rregulloret i kemi miratuar dhe vazhdon të përdoret edhe në proceset tjera zgjedhore”, tha Krasniqi.

Lidhur me këtë çështje, Gazeta Express ka kontaktuar me Ismet Kryeziun, drejtor ekzekutiv i KDI’së.

Ai tha se nuk kanë informacione nëse një vendim i tillë është paraprirë nga një analizë e situatës.

“Me arritjet që i ka bërë Kosova për integritetin dhe rregullsinë zgjedhore, ne nuk e dijmë nëse vendimi i KQZ-së për vendosjen e kamerave në vendvotim është parapri nga një analizë e situatës dhe ka për bazë përvojat dhe praktikat e mëhershme nga organizimin i proceseve zgjedhore. Tani për tani ky proces është kompleks dhe  nuk i dimë të gjitha detajet për efektet që do te ketë si: koston financiare, sfidat për përdorimin dhe vlerën shtesë që potencialisht do ti jap procesit”, tha Kryeziu.

Kryeziu ka thënë se kamerat përdoren edhe në vende me demokraci të qëndrueshme. Ai ka shtuar se nëse vendosja e tyre bëhet në përputhje me standartet, atëherë nuk cenohen të drejtat e njeriut dhe do të ruhet fshehtësia e votës.

Ai tha se KQZ ka mjaftueshëm mbështetje ligjore për ta marrë këtë vendim, ndonëse një gjë e tillë nuk specifikohet në Ligjin për Zgjedhjet.

“Praktikat e përdorimit të kamerave në vendvotime janë prezente edhe në vende me demokraci të qëndrueshme. Nëse vendosja e tyre bëhet në përputhje me standardet, kjo nuk do të duhej të cenonte të drejtat e njeriut e as fshehtësinë e votës. Megjithatë përdorimi i kamerave nuk është standard universal për rritjen e integritetit zgjedhor. Ligji Zgjedhor tek ne nuk e specifikon, por gjithsesi në kuadër të rritjes së transparencës dhe integritetit zgjedhor, KQZ-ja ka mjaftueshëm mbështetje ligjore për të marrë një vendim të tillë.”

Ai tha se nëse KQZ do të bënte një analizë dhe vlerësim paraprak do të vendoste që një specifikë e tillë të vlente vetëm në zonat ku ka më shumë parregullsi zgjedhore dhe jo në gjithë vendin.

“Në disa vende nëpër botë përfshi Mbretërinë e Bashkuar, Australinë etj. kamerat janë vendosur në disa qendra të votimit, për të garantuar sigurinë dhe për të rritur integritetin zgjedhor. Besoj se dhe KQZ-ja  po të kishte një analizë dhe vlerësim paraprak, do të mund të merrte një vendim të tillë jo obligues për të gjithë territorin e  Republikës, por bazuar në zonat e nxehta potenciale,  ku janë më të shprehura parregullsitë zgjedhore apo siguria është më e  brishtë”, tha Kryeziu në një prononcim për Gazetën Express.

Vendosja e kamerave në vendvotime do të ndodhë për herë të parë në Kosovë, kështu që KQZ nuk i posedon ato.

Për të mundësuar që votimi i 21 prillit të mbulohet me kamera, KQZ ka nënshkruar memorandum me KQZ’në në Shqipëri për huazimin dhe përdorimin e kamerave monitoruese në vendvotime dhe të bojës matrikuluese për shënjimin e zgjedhësve.

“Gjithashtu, nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit për huazimin dhe përdorimin e kamerave monitoruese në qendrat e votimit dhe të bojës matrikuluese nga KQZ e Kosovës për t’u përdorur në procesin e votimit të datës 21 Prill 2024.”

Në zgjedhjet e fundit që u mbajtën në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, fitues dolën kandidatët shqiptarë nga PDK e VV, mirëpo mbajtja e zgjedhjeve të reja ka qenë kërkesë e vazhdueshme e ndërkombëtarëve.

Kështu, krerët e shtetit u pajtuan që rruga që duhet ndjekur është përmes peticionit, i cili u organizua në katër komunat dhe rezultoi i suksesshëm.

Pasi u mblodhën nënshkrimet e nevojshme, KQZ nisi përgatitjen për organizimin e procesit të votimit dhe si datë u caktua 21 prilli. Për shkarkimin e Erden Atiq, Lulzim Hetemit, Ilir Pecit dhe Izmir Zeqirit nevojiten 50%+1 votë.

Lidhur me përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, sot kanë diskutuar ambasadori Hovenier dhe presidentja Osmani.

“Tutje, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, si dhe aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral”, thuhet në njoftim.