Kosova përballet me valën më të nxehtë ndonjëherë, temperatura deri 44°C këtë vikend
Kosova po përballet me një valë të fuqishme të të nxehtit afrikan, që kërcënon të thyejë rekordin historik të temperaturës më të lartë të regjistruar ndonjëherë në vend.
Masat ajrore të nxehta dhe të fuqishme me origjinë nga Afrika Veriore janë intensifikuar dukshëm sot, duke e ngritur termometrin deri në 39°C në disa zona të vendit.
Sipas parashikimeve, kjo valë e të nxehtit pritet të arrijë kulmin gjatë ditës së premte dhe sidomos të shtunën, kur temperaturat maksimale mund të kapërcejnë vlerat ekstreme prej 43 apo madje 44°C. Nëse këto parashikime realizohen, Kosova do të përjetojë ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, duke tejkaluar rekordin aktual prej 42.0°C të shënuar më 24 korrik 2007 në Prizren.
Kjo situatë ekstreme shoqërohet edhe me një tjetër dukuri atmosferike shqetësuese: depërtimin e koncentrimeve të larta të pluhurit saharian. Ky pluhur pritet të ndikojë negativisht në cilësinë e ajrit, të reduktojë dukshmërinë dhe të japë një pamje të turbullt qiellit, tipike për ditët e mbingarkuara me grimca të imta nga shkretëtira.
Gjendja meteorologjike do të përkeqësohet edhe më shumë gjatë pasdites së së shtunës, kur priten zhvillime të fuqishme vranësirash konvektive. Në disa zona të vendit, këto vranësira do të shoqërohen me rrebeshe të izoluara shiu, shkarkesa rrufesh dhe erëra të fuqishme, me shpejtësi që mund të arrijnë deri në 80 km/h. Nën ndikimin e pluhurit saharian, reshjet e shiut mund të shfaqen në formën e “shiut me baltë”, një fenomen që vjen kur uji bie përmes shtresave të ajrit të ngarkuara me grimca pluhuri.
Megjithatë, nga dita e diel pritet një lehtësim i dukshëm i kësaj situate ekstreme. Masa më të freskëta ajrore nga perëndimi i kontinentit do të depërtojnë gradualisht në rajon, duke sjellë një rënie të ndjeshme të temperaturave – prej të paktën 6 deri në 10°C. Moti do të karakterizohet nga alternime të vranësirave dhe intervaleve me diell, me mundësi për rrebeshe lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh në disa rajone.
Në fillim të javës së ardhshme, Kosova do të përfshihet nga kushte më të freskëta dhe të paqëndrueshme atmosferike. Temperatura do të ulet më tej dhe reshjet pritet të bëhen më të shpeshta, duke sjellë një lehtësim të ndjeshëm pas një periudhe të rrezikshme me temperatura përvëluese.
Kujdes i shtuar rekomandohet për të gjithë qytetarët, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe ata me probleme shëndetësore, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj valëve të nxehtësisë. Autoritetet apelojnë për konsum të shtuar të ujit, qëndrim në ambiente të freskëta dhe shmangie të ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës.