Komunat të gatshme për financim të stafit shëndetësor, kërkojnë që vaksinimi të kryhet edhe në vikend

21.08.2021

Në vendin tonë ka disa ditë që ka shënuar rritje drastike numri i të infektuarve me virusin COVID-19, ku vetëm dje janë konfirmuar 2,250 raste pozitive dhe janë regjistruar katër raste të vdekjes. Krahas rritjes së infektimeve, tek qytetarët vërehet rritje e interesimit për t’u vaksinuar kundër COVID-19. Gjatë ditës së djeshme janë vaksinuar 22 […]

Komunat të gatshme për financim të stafit shëndetësor, kërkojnë që vaksinimi të kryhet edhe në vikend Foto: Ilustrim

Në vendin tonë ka disa ditë që ka shënuar rritje drastike numri i të infektuarve me virusin COVID-19, ku vetëm dje janë konfirmuar 2,250 raste pozitive dhe janë regjistruar katër raste të vdekjes.

Krahas rritjes së infektimeve, tek qytetarët vërehet rritje e interesimit për t’u vaksinuar kundër COVID-19.

Gjatë ditës së djeshme janë vaksinuar 22 mijë e 245 qytetarë kundër këtij virusi, por mbetet sfidë procesi i vaksinimit gjatë vikendit.

Në vikend sallat e vaksinimit kundër COVID-19 nuk punojnë, e për këtë komunat e Kosovës janë shprehur të gatshëm për të ofruar mbështetje financiare Ministrisë së Shëndetësisë, kjo me qëllim të rritjes së stafit shëndetësor që vaksinimi të kryhet edhe në vikend.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Ibrahimi për EkonomiaOnline ka thënë se gjatë takimit të mbajtur me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kryetarët e komunave kanë paraqitur kërkesën për intensifikim të vaksinimit të qytetarëve.

Sipas Ibrahimit, ministri Vitia ka informuar kryetarët e komunave se është në kooridinmi me ministrin e Financave, Hekuran Muratin për të rekrutuar edhe 100 punonjës shëndetësor shtesë.

“Në takimin e fundit koordinues dhe bashkëpunues që Asociacioni i Komunave të Kosovës e pat me ministrinë e Shëndetësisë, në atë takim morën pjesë kryetarët e komunave dhe drejtorët komunal të shëndetësisë. U diskutua për situatën aktuale me Covid-19.

U cilësua nga të dyja palët se situata nuk është e mirë, që kemi kaluar në një situatë emergjente. Numri i të të infektuarve ditës e ditës është duke u shtuar dhe përhapja e Covid-q9 sidomos varianti Delta po bëhet 4 herë më i shpejt se ai Alfa. Kjo është konstatuar nga ekspertët shëndetësor”

“Kryetarët e komunave kërkuan nga niveli qendror që procesi i vaksinimit të ndodhë edhe gjatë vikendit, të mos ndalet as ditëve të punës as në vikend. Ministri Vitia informoi kryetarët e komunave se është në proces dhe është dakorduar me ministrin e Financave që t’i rekrutojnë edhe 100 punonjës të rinj shëndetësor të cilët do të përkrahin institucionet shëndetësore të nivelit qendror po ashtu edhe të nivelit lokal”, është shprehur ai.

Gjithashtu i pari i asociacionit njoftoi për EO se kryetarët e komunave janë zotuar për sigurim të Qendrave të reja ku ofrohet vaksinim anti-Covid.