Komandanti i KFOR-it: Bashkëpunimi me institucionet e Kosovës është shumë i mirë
Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka deklaruar se sulmi i fundit në kanalin Ibër-Lepenc, nxjerr në pah ndjeshmërinë e situatës së sigurisë në vend. Në një intervistë për RTK2, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet KFOR-it, institucioneve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar për të ruajtur qetësinë dhe stabilitetin në rajon.
Sipas komandantit të KFOR-it, Barduanit, bashkëpunimi me institucionet e Kosovës, përfshirë organet e sigurisë, është shumë i mirë. Ai shtoi se në rastin e fundit të sulmit terrorist, Policia e Kosovës, me mbështetjen e EULEX-it dhe KFOR-it, ka arritur të menaxhojë situatën në mënyrë efikase, duke shmangur nevojën për dislokimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). “Për dislokimin e FSK-së ekzistojnë procedura të veçanta,” theksoi ai.
Gjeneralmajori Barduani nënvizoi se situata aktuale e sigurisë në Kosovë është e qetë, por mbetet e brishtë për shkak të çështjeve politike të pazgjidhura. Sipas tij, një nga kërcënimet kryesore për stabilitetin është dezinformimi, i cili mund të nxisë tensione ndëretnike dhe përshkallëzim të situatës jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
“Rreziku real për përshkallëzimin e tensioneve është i lidhur ngushtë me keqpërdorimin e informacionit dhe dezinformimin,” tha ai, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për të parandaluar përhapjen e lajmeve të rreme.
Një çështje tjetër e ndjeshme që u trajtua në intervistë ishte ajo e hapjes së urës mbi lumin Ibër. Gjeneral Barduani theksoi se qëndrimi i KFOR-it në lidhje me këtë urë ka qenë gjithmonë i qartë dhe konsistent. “Çdo vendim për urën e Ibrit duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare,” tha ai.
Duke përfunduar, komandanti i KFOR-it ritheksoi dënimin e ashpër të sulmit të fundit në kanalin e ujësjellësit Ibër-Lepenc. Ai u zotua për mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.
“Situata mbetet nën monitorim të rreptë. Prioriteti ynë është siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe parandalimi i çdo përshkallëzimi,” përfundoi gjeneral Barduani.