Inflacioni 14.1%/ Ekspertët: Mund të shkojë deri në 30%, Kosova ka hyrë në krizë ekonomike

13.07.2022

E muajin që lëm pas, muajin qershor inflacioni shënoi rritje në 14.1%. Si pasojë e kësaj, qytetarët po vazhdojnë të përballen në vazhdimësi me rritje të çmimeve në produktet bazë, duke mos anashkaluar edhe produktet e tjera. Në produktet që u shënua më së shumti rritje ishin vaj ushqimor dhe buka si dhe derivatet e […]

Inflacioni 14.1%/ Ekspertët: Mund të shkojë deri në 30%, Kosova ka hyrë në krizë ekonomike Foto: Ilustrim

E muajin që lëm pas, muajin qershor inflacioni shënoi rritje në 14.1%.

Si pasojë e kësaj, qytetarët po vazhdojnë të përballen në vazhdimësi me rritje të çmimeve në produktet bazë, duke mos anashkaluar edhe produktet e tjera.

Në produktet që u shënua më së shumti rritje ishin vaj ushqimor dhe buka si dhe derivatet e naftës.

Por, njohësit e ekonomisë po paralajmërojnë se me këtë trend në muajt e ardhshëm do të ketë edhe më shumë rritje të inflacionit.

Madje, sipas tyre Kosova tashmë ka hyrë në një krizë ekonomike.

Thonë se për këtë Qeveria e Kosovës duhet të ndërmerr hapa konkret dhe t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

Derisa, një gjë e tillë po kërkohet për Qeverinë, kreu i ekzekutivit Albin Kurti ka më shumë se një javë që po qëndron në Greqi dhe nga atje po lavdërohet që Kosova ka pasur rritje impresive të ekonomisë dhe 25 mijë vende të reja të punës.

Haki Shatri: Deri në fund të vitit inflacioni mund të shkojë deri në 30%

Ish-ministri i Financave Haki Shatri, për FrontOnline thotë se nëse një rritje e tillë vazhdon atëherë ai mund të arrije në fund të vitit deri në 30%.

“Kjo që po ndodhë pra inflacioni është shumë më shumë që është prit me ndodhë. Psh.,2% në muaj me shku inflacioni më shumë i bjen që brenda një viti ka me qenë dikund 30%. Me këtë trend të rritjes së çmimeve dhe me këtë pasivitet të Qeverisë për me reagu dhe me u adaptu me rrethana të reja dhe normalisht me iu parapri disa veprimeve me vendime të mira që me lehtësua pak vështirësinë e qytetarëve nuk po shihet”, është shprehur Shatri.

Sipas tij, ndarja prej 100 eurove nga Qeveria e Kosovës për disa shtresa nuk e plotëson fare vështirësinë e qytetarëve nëse merret për baza rritja e çmimeve.

Ndërsa, kur flet për të hyrat e Qeverisë, thotë se kjo ka ndodhë pikërisht për shkak të rritjes së çmimeve, e jo për si shkak i efikasitetit të punës së tyre.

“Këta po lëvdohen që kanë realizu më shumë të hyra, mirëpo askund nuk po e përmendin që ato të hyra janë realizuar për shkak të rritjes së çmimeve, por po thonë e kemi efikasitetin në grumbullim të borgjeve, e kemi rrit efikasitetin e punës në terren dhe kjo nuk është e vërtetë”, ka thënë ndër të tjera ai.

Musa Limani: Kosova tashmë ka hyrë në krizë ekonomike

I mendimit të njëjtë është edhe njohësi i ekonomisë, Musa Limani.

Ai thotë se tani në Kosovë është një situatë e rëndë dhe se një numër i konsiderueshëm i popullatës nuk mund t’i përballojnë këto çmime.

Ai kërkon nga Qeveria që të intervenojë sepse tashmë vendi ka hyrë në krizë ekonomike.

“Unë kam një përshtypje që Qeveria po e bën një neglizhencë karshi kësaj situate me apo pa vetëdije këtë nuk e di , por nuk po intervenon aq sa i takon kompetencave të Qeverisë në këtë drejtim që të zbut momentalisht situatën që dominon në Kosovë. Pra, është një situatë e rëndë dhe unë do të thoja se kemi hyrë në një krizë ekonomike dhe kjo shprehet edhe te zhvillimi i gjithmbarshëm ekonomik por edhe te konsumatorët”, ka deklaruar ai.

Kadrijaj: Edhe në muajt në vijim to të ketë rritje të inflacionit

Edhe njohësi tjetër Mustafë Kadrijaj, thotë se tani më kur kemi rritje dyshifrore të inflacionit mirëqenia e qytetarit do të dëmtohet.

Edhe ky thotë se edhe në muajt në vijim pritet të ketë rritje të inflacionit.

“Se sa do të kemi rritje në muajt në vijim gjasat janë për po, për faktin që diaspora do ë rritë kërkesën e cila do të ndikojë në rritje të çmimeve, po ashtu edhe importi i lartë do të ndikojë në rritjen e çmimeve për shkak që do të ndikohemi nga çmimi global ku për fat jo të mirë ekonomitë botërore paralajmërojnë për krizë ekonomike në sezonin e vjeshtës dhe dimrit”, është shprehur ai për Front Online.

Deklaron se edhe Kosova është atakuar nga kriza ekonomike.

“Përderisa ne jemi vagoni i fundit në ekonominë botërore, ne jemi atakuat nga kriza ekonomike dhe për fat jo të mirë edhe rendimentet e grurit nuk ishin të kënaqshme këtë vit, kështu që ne do të përballemi me import në produktet e grurit dhe nënprodukteve të tij”, ka thënë ai.

Agjencia e Statistikave të Kosovës thekson se Indeksi i Harmonizuar për Çmimet e Konsumit (IHÇK) vetëm për muajin qershor 2022 është rritur 1.4 për qind.

Sipas raportit “Indeksi i Harmonizuar Çmimeve të Konsumit, qershor 2022”, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te vajrat ushqimore me 53.8 për qind, ndjekur nga karburantet me 39.3 për qind dhe buka me 27.7 për qind.

“IHÇK është më i lartë në një mesatare prej 1.4 për qind në muajin qershor 2022 krahasuar me muajin maj 2022.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te buka dhe drithërat me 1.1 për qind, mishi me 1.4 për qind, pemët me 3 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata e ëmbëlsirat me 2.2 për qind, kafja, çaji dhe kakao me 2.3 për qind, pijet alkoolike me 1.5 për qind, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 60 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 1.8 për qind, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal me 15.4 për qind, shërbimet për transport me 5.9 për qind, pushime të organizuara me 4.1 për qind, shërbimet hoteliere me 2.3 për qind, kujdesi personal me 1.5 për qind si dhe disa nëngrupe tjera me një ndikim të vogël, e që të gjitha patën një ndikim të përbashkët prej 1.9 për qind në IHÇK”, thuhet në raport.