Hyrja falas – Ballkani kërkon mbështetje maksimale në derbin ndaj Prishtinës
FC Ballkani ka njoftuar se hyrja për tifozët do të jetë falas në derbin e shumëpritur kundër FC Prishtinës, që zhvillohet nesër në stadiumin e qytetit në Suharekë.
Ndeshja do të luhet duke filluar nga ora 13:00 dhe pritet të sjellë emocione të mëdha, pasi përballen dy nga ekipet më të forta të futbollit kosovar. Ky duel konsiderohet si një nga ndeshjet më të rëndësishme të xhiros dhe ka peshë të madhe si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë të rivalitetit.
Nga FC Ballkani është bërë thirrje për të gjithë dashamirët e futbollit, tifozët dhe përkrahësit e klubit që të jenë të pranishëm në numër sa më të madh dhe ta mbështesin ekipin me përkrahje maksimale nga tribunat.

Atmosfera në Suharekë pritet të jetë festive, ndërsa hyrja falas shihet si një mundësi e mirë për të gjithë qytetarët që të jenë pjesë e këtij spektakli futbollistik.
FC Ballkani synon fitore, ndërsa mbështetja e tifozëve do të jetë një shtysë shtesë për skuadrën portokalli e zi.