Hasani: Rritja e votave të mia ishte e padrejtë, drejtësia duhet të veprojë

19.01.2026

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Nait Hasani, ka reaguar pas procesit të rinumërimit të votave, nga i cili deri tani atij i janë hequr 3 mijë e 414 vota. Ai ka thënë se ky proces ka nxjerrë në pah parregullsi serioze dhe manipulim të emrit të tij në dëm të vullnetit të qytetarëve.

Hasani theksoi se gjatë rinumërimit është dëshmuar se votat e tij ishin rritur në mënyrë të padrejtë, duke u përdorur emri i tij për veprime të papranueshme zgjedhore. Sipas tij, këto raste përbëjnë shkelje ligjore, por edhe cenim të rëndë moral e politik.

Ai deklaroi se nuk pranon asnjë votë që nuk është rezultat i vullnetit të lirë të qytetarëve dhe se qëndrimi i tij politik është i bazuar në ndershmëri dhe besim.

“Nuk kam hyrë në politikë për të përfituar nga mashtrimet, por për të përfaqësuar qytetarët me dinjitet. Nuk kam nevojë për vota të manipuluara, sepse respektoj mbi të gjitha votën e ndershme”, ka theksuar Hasani.

Në reagimin e tij, ai ka bërë thirrje që drejtësia të veprojë dhe të mos qëndrojë në heshtje përballë këtyre parregullsive, duke shtuar se do të vazhdojë të angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe transparencës zgjedhore.

Hasani ka përfunduar duke theksuar se reagimi i tij nuk ka për qëllim vetëm mbrojtjen e emrit personal, por edhe mbrojtjen e procesit demokratik dhe të ardhmes së Kosovës.