Gastronomët kërkojnë që të ndryshohet kjo pikë nga masat kundër COVID-19

01.09.2021

Shoqata e Gastronomisë së Kosovës (ShGK) përmes një njoftimi të bërë në rrjetet sociale, ka theksuar se vendimi i Qeverisë, ku flet për punën e gastronomëve, është e paqartë. Për masën që ka folur kjo shoqatë bëhet fjalë për pikën në të cilën Qeveria ka kufizuar shërbimin vetëm “në hapësira të hapura” të bareve dhe […]

Gastronomët kërkojnë që të ndryshohet kjo pikë nga masat kundër COVID-19 Foto: SuharekaOnline

Shoqata e Gastronomisë së Kosovës (ShGK) përmes një njoftimi të bërë në rrjetet sociale, ka theksuar se vendimi i Qeverisë, ku flet për punën e gastronomëve, është e paqartë.

Për masën që ka folur kjo shoqatë bëhet fjalë për pikën në të cilën Qeveria ka kufizuar shërbimin vetëm “në hapësira të hapura” të bareve dhe restoranteve.

Gastronomët përmes këtij njoftimi kanë bërë të ditur se duan që Qeveria e Kosovës të bëjë ndryshim në masat e reja, masa këto të miratuara më 28 gusht, kjo pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 si dhe rritjes së numrit të rasteve të vdekjes nga ky virus.

Në njoftimin e gastornomëve të Kosovës thuhet se: “Shkronja gj. pika 34 e këtij vendimi parasheh që kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e mbyllur’ dhe ‘hapësirë e hapur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin për Kontrollin e Duhanit, ku sipas këtij Ligji, hapësirë e mbyllur është çdo hapësirë e mbuluar me kulm ose tavan, që është i lëvizshëm apo i palëvizshëm, dhe të rrethuar me dy apo më shumë anë, pa marrë parasysh llojin e materialit të përdorur dhe pa marrë parasysh nëse struktura është e përhershme apo e përkohshme”.

Gjithashtu, nga ShGK-ja kanë shtuar se me këtë pikë i bie që shumica e lokalve të mos punojë, pasi që shumë prej tyre kanë terraca të mbyllura.

Njoftimi i plotë:

Në mbledhjen e 32-të të Qeverisë së Kosovës, më datë 28.08.2021, u aprovua Vendimi Nr. 01/32 mbi masat e reja Anti Covid-19.

Gjendja aktuale epidemiologjike është përkeqësuar jashtëzakonisht shumë, gjë për të cilën bashkëndjejmë si shoqatë dhe si qytetarë të këtij vendi.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, që nga fillimi i pandemisë me datë 13 mars 2020, tani e gjithnjë, qëndron pranë kësaj situate e obliguar dhe e zotuar që deri në përfundimin e pandemisë të ballafaqohet me çdo çështje që prekë gjendjen shëndetësore të qytetarëve dhe gjendjen ekonomike të gastronomisë.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, gjithmonë çdo propozim e ka bërë, po e bën, dhe do ta bëjë, me qëllim të kontrollimit të përhapjes së pandemisë me pasoja sa më të vogla ekonomike për sektorin tonë.

Rrjedhimisht, e kemi për obligim që edhe në këtë rast, të kontestojmë Vendimin e mbicituar të Qeverisë, i cili për aq sa është i dobishëm për shëndetin publik, është edhe i dëmshëm për shëndetin ekonomik.

Është evidente që ky Vendim, ka përhapur një konfuzion tek institucionet të cilat merren me zbatimin e ligjit në vendin tonë.

Shkronja gj. pika 34 e këtij vendimi parasheh që kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e mbyllur’ dhe ‘hapësirë e hapur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin për Kontrollin e Duhanit, ku sipas këtij Ligji, hapësirë e mbyllur është çdo hapësirë e mbuluar me kulm ose tavan, që është i lëvizshëm apo i palëvizshëm, dhe të rrethuar me dy apo më shumë anë, pa marrë parasysh llojin e materialit të përdorur dhe pa marrë parasysh nëse struktura është e përhershme apo e përkohshme.

Bazuar në këtë pikë, dhe bazuar në terasat që i kanë të ndërtuara një numër shumë i madh i lokaleve të gastronomisë, i bie që NUK MUND TË PUNOJNË!

Rrjedhimisht, një pikë e tillë, siç është e paraparë në këtë vendim, propozojmë që të largohet, dhe të lejohen të punojnë lokalet që kanë këto terasa, sipas pikave të tjera të këtij vendimi. Përndryshe, kërkojmë që urgjentisht të inicohet dhe ideohet një masë për mbështetje financiare nga Ministria e Financave, për gjysmën e qirasë së lokaleve dhe gjysmen e pagës së punëtorëve për sektorin e gastronomisë.