Gastronomët kërkojnë heqje të orës policore e punë pa kufizime në orar

06.10.2021

Ndërsa, gjatë muajit shtator Qeveria e Kosovës dy herë kishte miratuar masa të reja anti-COVID, më 13 shtator dhe më 26 shtator, por në këto masa nuk është paraparë asnjëherë heqja e orës policore. Në miratimin e masave të fundit anti-COVID nga ana e qeverisë, për gastronomët ishte një masë lehtësuese ajo e shfrytëzimit të […]

Gastronomët kërkojnë heqje të orës policore e punë pa kufizime në orar Foto: Ilustrim

Ndërsa, gjatë muajit shtator Qeveria e Kosovës dy herë kishte miratuar masa të reja anti-COVID, më 13 shtator dhe më 26 shtator, por në këto masa nuk është paraparë asnjëherë heqja e orës policore.

Në miratimin e masave të fundit anti-COVID nga ana e qeverisë, për gastronomët ishte një masë lehtësuese ajo e shfrytëzimit të hapësirave të brendshme të lokaleve për klientët që ofrojnë dëshmi të vaksinimit apo teste negative për COVID-19.

Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica, në emër të kësaj shoqate ka kërkuar heqjen e orës policore, por jo vetëm.

Vranica ka thënë se gastronomia është industri që i prinë sa i përket dëmeve nga pandemia COVID-19, prandaj edhe këto biznese e meritojnë të punojnë lirshëm, pa kufizime në orar.

Po ashtu, ai ka shtuar se dëshmia më e mirë se masat aktual janë të tepërta, është gjendja epidemiologjike me COVID-19, ku fatmirësisht javëve të fundit ka shënuar rënie numri i rasteve pozitive si dhe atyre të vdekjes nga ky virus.

“Po mendoj se duhet të ketë masa të reja, sepse siç edhe po shihet, gjendja epidemiologjike dhe procesi i vaksinimit janë duke shkuar shumë mirë ,andaj s’ka arsye që ta kufizojmë orarin e lëvizjes.

Sipas nesh, ora policore duhet të hiqet, pasi e konsiderojmë të panevojshme. Në bazë të hulumtimeve shkencore, qëndrimi i më shumë se një jave i masës, nuk jep efekt më të madh të rënies së rasteve”, tha Vranica për GazetaBlic.

Ne mendojmë se duhet me funksionu pa kufizim, pra siç e përcaktojnë rregulloret komunale. Sepse, siç shihet nuk mund të ketë përshkallëzim të situatës epidemiologjike.

Andaj duke marrë parasysh edhe faktin se jo të gjitha bizneset gastronomike kanë qenë përfituese të masave të Qeverisë, e kur kësaj ia shtojmë se gastronomia është industria që prinë sa i përket dëmeve, mendoj se duhet të punojmë ashtu siç e ceka edhe më lartë, pra pa orar”, ka thënë ai.