Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) diskuton raportin për gjykimet e krimeve të luftës, theksohet rritja e aktakuzave dhe sfidat ekzistuese

04.04.2025

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) ka zhvilluar sot një diskutim mbi raportin e tij të fundit me titull “Gjykimet për krimet e luftës në Kosovë – Me çka ende ballafaqohen këto procese?”.

Raporti vë në pah progresin e bërë në adresimin e krimeve të luftës në Kosovë, por thekson gjithashtu sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen këto procese.

Në këtë tryezë diskutimi morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës. Udhëheqësi i Departamentit për Krime Lufte pranë Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, prezantoi të dhëna inkurajuese lidhur me rritjen e numrit të aktakuzave të ngritura së fundmi. Ai bëri të ditur se gjatë vitit 2024 janë ngritur 14 aktakuza ndaj 25 personave për krime lufte, ndërsa vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025 janë ngritur katër aktakuza ndaj gjashtë personave.

“Sidomos nga viti 2023 kemi bërë punë të konsiderueshme në adresimin e krimeve të luftës. Për vitet 2023-2024 kemi rreth 30 aktakuza, që është numri më i lartë deri tani ndonjëherë i adresuar”, theksoi Morina. Ai shtoi se në total janë 14 aktakuza në mungesë dhe 12 aktakuza të trashëguara nga UNMIK-u dhe EULEX-i, duke bërë që numri i përgjithshëm i aktakuzave në mungesë që presin shqyrtimin të jetë 26.

Megjithatë, Morina nuk la pa përmendur sfidat me të cilat përballet prokuroria, duke veçuar mungesën e përkthyesve si një pengesë të madhe në procesin e adresimit të nevojës për përkthimin e dokumenteve në gjuhën shqipe dhe serbe dhe anasjelltas.

Nga ana e Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Amer Alija vuri në dukje se gjatë vitit 2024 janë proceduar 34 lëndë kundër 98 pjesëtarëve të forcave serbe dhe një lëndë kundër 2 pjesëtarëve të UÇK-së. Ai theksoi se në këtë numër përfshihen edhe 14 aktakuza ndaj 72 pjesëtarëve të forcave serbe, të cilat janë ngritur në mungesë.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, e vlerësoi rëndësinë e raportit dhe theksoi se nga 35 raste të monitoruara, 15 prej tyre janë gjykime në mungesë. Ai ritheksoi nevojën për drejtësi për viktimat e krimeve të luftës dhe siguroi se hartimi i një plani strategjik për drejtësinë tranzicionale është prioritet i Qeverisë së Kosovës.

“Kjo temë është shumë e rëndësishme për të treguar, jo vetëm opinionit vendor, por edhe atij ndërkombëtar që Republika e Kosovës tashmë e ka gjithë infrastrukturën e saj shtetërore dhe publike, edhe Kushtetuese dhe ligjore, mbi trajtimin e rasteve. […] Gjykimi në mungesë është një hap mjaft i rëndësishëm në raport me vënien e drejtësisë për viktimat”, u shpreh zëvendësministri Qorrolli. Ai shtoi se krimet e luftës të kryera nga shteti i Serbisë kanë lënë pasoja të thella në shoqërinë kosovare dhe se qeveria për herë të parë ka prioritizuar drejtësinë tranzicionale.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani – Rama, konfirmoi rritjen e numrit të aktakuzave dhe shprehu angazhimin e gjykatës për të përmirësuar kapacitetet profesionale dhe për të shtuar stafin mbështetës me qëllim që këto lëndë të trajtohen me prioritet.

“Trajtimi i rasteve të luftës në gjykatë kanë marrë një dinamikë tjetër, për shkak se numri i aktakuzave është rritur dhe rasti për trajtim ka një dinamikë tjetër. […] Si gjykatë kemi qenë përgjegjëse t’i rrisim kapacitetet profesionale dhe për të shtuar numrin e stafit mbështetës me qëllim që këto lëndë të kenë prioritet”, tha Shabani-Rama.

Diskutimi i sotëm nxori në pah progresin e dukshëm në ndjekjen penale të krimeve të luftës në Kosovë, veçanërisht rritjen e numrit të aktakuzave. Megjithatë, u theksua qartë se sfidat si gjykimet në mungesë dhe mungesa e përkthyesve mbeten pengesa të rëndësishme në rrugën drejt sigurimit të drejtësisë së plotë për viktimat e luftës.