“E keni vra në burg”, Haxhiu i kthehet rastit Dehari, disa deputetë i thërrasin “Marre”
Një debat i nxehtë dhe akuza të ashpra shënuan seancën e fundit parlamentare, ku Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u përfshi në një shkëmbim fjalësh me deputetët e opozitës.
Në fjalimin e saj, Haxhiu, ndërsa po prezantonte punën e Ministrisë së Drejtësisë, e drejtoi akuzën e drejtpërdrejtë të vrasjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, drejt opozitës. “Fillimisht ju jeni angazhu për me e vra një aktivist politik në burg”, deklaroi Haxhiu, duke shkaktuar reagime të forta nga deputetët e opozitës.
Këto akuza të rënda u shoqëruan me thirrje si “Dëshmoje”, “Marre” nga deputetët e opozitës, të cilët e akuzuan ministrën për përgjegjësi në këtë rast. Haxhiu, duke vazhduar më tej, i akuzoi ata se kishin për qëllim të shpallnin Lëvizjen Vetëvendosje si organizatë terroriste.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i dha përgjigje ministres duke e akuzuar atë se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për moszbardhjen e rastit Dehari. “Ministre, për besë më bëre me u ndje goxha mirë. 10 minuta prej fjalimeve tua të fundit në këto Kuvend, për me folë për 4 vjet të arritura, m’i kushtove mua”, tha Tahiri.
Haxhiu, nga ana e saj, mbrojti punën e bërë nga Ministria e Drejtësisë dhe i ftoi deputetët të lexojnë raportet e punës.