Deputeti i PDK-së kërkon nga Qeveria që diaspora të lirohet nga pagesat për testet PCR

Deputeti i PDK-së kërkon nga Qeveria që diaspora të lirohet nga pagesat për testet PCR
Herolind Bytyçi

11.04.2021 / Lajme

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, përmes një shkrimi drejtuar kryeministrit Kurti ka kërkuar nga ky i fundit se nëse vërtetë ai dhe qeveria tij i don dhe respekton mërgimtarët të rregullojë testimin e organizuar për diasporën për testet PCR për COVID 19, përmes Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Aeroportin Ndërkombëtarë “Adem Jashari”, ose të marr përsipër pagesën e këtyre testeve në kuadër të buxhetit të Qeverisë së Kosovës.

“Tashmë jemi mësuar me populizmin e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Kurti për dashurinë dhe respektin kinse për diasporën tonë. Nuk do të kishte asgjë të keqe dhe do të konsiderohej si e drejtë dhe e nevojshme kjo qasje po të ishte e sinqertë.

Mërgimtarët tanë e meritojnë mbështetjen e shtetit të Kosovës, sepse ata janë pjesa më e dhimbshme e shoqërisë sonë dhe njëkohësisht edhe shtresa që ka dhënë kontribut të pamohueshëm direkt dhe indirekt në zhvillimin e shtetit në të gjitha fazat e tij.

Mirëpo, realiteti dhe veprimet konkrete që deri me tani janë ndërmarrë nga Qeveria Kurti për diasporën flasin të kundërtën dhe lënë shumë për të dëshiruar.

Të rikujtojmë që ishte pikërisht kryeministri Kurti, që herën e parë kur erdhi në pushtet me Qeverinë Kurti 1, që pa asnjë sqarim dhe arsyetim largoj nga struktura e qeverisë Ministrinë e Diasporës, si i vetmi institucion dhe mekanizëm që lidhte Kosovën në mënyrë direkte me mërgatën. Mbase Kurti përmes këtij veprimi kishte për qëllim që të ndërpriste komunikimin me diasporën përmes vijave institucionale dhe ti vazhdonte ato përmes vijave partiake për të shfrytëzuar mërgimtarët për qëllim partiake dhe jo për ato shtetërore.

Tani kur erdhi sërish në pushtet për herë të dytë, prap në emër të dashurisë së rrejshme për diasporën me vrap dhe me urgjencë po insiston të ndryshojë ligjin për zgjedhjet duke i mundësuar diasporës të votojnë nga konsulatat sepse këtë e kishte premtim elektoral. Edhe ky veprim nga shumëkush u pa si një veprim që i shkon me shumë në interes partisë së tij se sa vetë shtetit të Kosovës, sepse Ligji për zgjedhjet kërkon një koncezus më të gjerë dhe ndryshime tjera rrënjësore me interes për vendin dhe jo vetëm ato që kanë të bëjnë me votimin nga diaspora. Pra edhe në këtë rast kryeministri Kurti e sheh diasporën vetëm si një “hambar votash” e jo një vlerë e shtetit të Kosovës dhe pjesë e pandashme e tij.

Nëse vërtetë kryeministri Kurti dëshiron të jetë i sinqertë me mërgimtarët dhe ti mbështesë ata, mundë të bëjë plotë veprime tjera të thjeshta dhe të menjehëreshme para se të gjobiten dhe grabiten ata sa herë që vijnë në Kosovë me pagesa prej 35 eurosh në emër të testit PCR për COVID 19, me detyrimet që të paguajnë këto teste kur kthehen mbrapa përmes aeroportit ndërkombëtarë “Adem Jashari”.

Kryeministër, nëse vërtetë ti dhe qeveria jote i doni dhe respektoni mërgimtarët rregulloni testimin e organizuar për diasporën për testet PCR për COVID 19, përmes Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik në Aeroportin Ndërkombëtarë “Adem Jashari”, ose merrni përsipër pagesën e këtyre testeve në kuadër të buxhetit të Qeverisë së Kosovës.

Ky veprim do të ishte minimumi që kryeministri dhe qeveria do të mundë të bënin aktualisht për diasporën në këtë fazë emergjente që po kalojnë ata në kuadër të përballjes me pandeminë.

Diaspora jonë meriton më shumë se sa premtimet populiste dhe shfrytëzimi për interesa partiake. Ne ju kemi shumë borgj atyre dhe lirimi nga pagesa për testet PCR për COVID 19 ndonëse simbolik do të ishte një sinjal që vërtëtë shteti i Kosovës po kujdeset për interesat e tyre” ka shkruar Shala.

RAPORTO