Asociacioni i Komunave kërkon të mos zbatohet kamatë-vonesa për tatimin e papaguar

Me anë të një letre, Asociacioni i Komunave të Kosovës i është drejtuar ministrit në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi lidhur me mundësinë e marrjes së masave për mos zbatimin e kamatë-vonesës dhe gjobës për tatimin e papaguar në kohë të këtij viti tatimor.

Sipas AKK-së, kjo situatë kërkon vlerësim të kujdesshëm në mënyrë që të merren masat e të minimizohen sa më shumë të jetë e mundur pasojat e krizës për qytetarët dhe bizneset e Kosovës.

“Kjo situatë kërkon vlerësim të kujdesshëm nga ana e Ministrisë së Financave dhe Transfereve edhe për sa i përket detyrimeve të tatimit në pronë, në mënyrë që të merren masa e të minimizohen sa më shumë të jetë e mundur pasojat e krizës për qytetarët dhe bizneset e Kosovës”, thuhet në kërkesën e AKK-së.

Njoftimi i plotë

Po ju shkruajmë duke marrë shkas nga situata e vështirë që Kosova si shumë vende të tjera të botës është duke kaluar si pasojë e impaktit të COVID – 19. Këto janë sigurisht periudha sfiduese dhe problematikat me të cilat po përballeni kanë qenë të shumta e nga më të larmishmet. Askush nuk mund të parashikojë me saktësi zhvillimet që na presin, por tashmë është e sigurt që pasojat për tatimpaguesit dhe për ekonominë në tërësi do të jenë serioze.

Kjo situatë kërkon vlerësim të kujdesshëm nga ana e Ministrisë së Financave dhe Transfereve edhe për sa i përket detyrimeve të tatimit në pronë, në mënyrë që të merren masa e të minimizohen sa më shumë të jetë e mundur pasojat e krizës për qytetarët dhe bizneset e Kosovës.

Ne jemi të vetëdijshëm se për shkak të ngadalësimit të punës së PTK – së po edhe të Komunave ku punohet me staf të reduktuar, kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, etj., shpërndarja e faturave të tatimit në pronë, këtë vit tatimor, do të marrë më shumë kohë. Faturat mund mos arrijnë në kohë te një pjesë e madhe e tatimpaguesve, çka paraqet një pengesë reale për përmbushjen në kohë të detyrimeve, nga ana e tatimpaguesve.

Për më tepër, një pjesë e madhe e bizneseve janë detyruar të pezullojnë aktivitetin e tyre, e një pjesë e qytetarëve mund të kenë të ardhura më të pakta këtë vit. Si rezultat, një pjesë e konsiderueshme e tatimpaguesve do të gjenden në pamundësi objektive për shlyerjen e detyrimeve të tatimit në pronë brenda afateve të përcaktuara për ketë vit tatimor (30 Qershor dhe 30 Shtator), çka ka sjellë sipas ligjit aplikimin e kamatëvonesës dhe gjobës mbi tatimin e papaguar.

Për sa më lartë, Asociacioni i Komunave të Kosovës i rekomandon Ministrisë së Financave dhe Transfereve të shqyrtojë mundësinë e marrjes së masave për mos aplikimin e kamatëvonesës dhe gjobës për tatimin e papaguar në kohë të këtij viti tatimor (2020), përgjatë gjithë vitit 2020.

RAPORTO