Ambasadori gjerman uron 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me një video të veçantë

17.02.2025

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të uruar 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Ai ka publikuar një video ku shfaqet në disa nga vendet më të njohura të Kosovës, duke përcjellë një mesazh të ngrohtë dhe plot shpresë për të ardhmen e vendit.

Në video, ambasadori Rohde shihet para monumentit “Newborn”, simbol i lindjes së shtetit të ri, te Biblioteka Kombëtare, një institucion i rëndësishëm për kulturën dhe dijen, si dhe te monumenti “Heroinat”, kushtuar grave që dhanë kontribut të paçmuar për lirinë e Kosovës. Ai gjithashtu shfaqet duke shijuar momente të thjeshta, siç janë ngrënia e akullores dhe pirja e kafës në sheshet e qytetit, duke vizituar shtatoren e Skënderbeut dhe Ibrahim Rugovës, figura të shquara të historisë dhe identitetit kombëtar.

“Të dashur miq në Kosovë, sot festojmë një moment historik – Ditën tuaj të Pavarësisë. Në emër të Gjermanisë dhe të gjithë ambasadës gjermane, ju shpreh urimet e mia të përzemërta,” ka thënë Rohde në videomesazhin e tij.

Ai ka theksuar se Kosova ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në këto 17 vite, si në demokraci, ekonomi dhe marrëdhënie ndërkombëtare. “Që nga shpallja juaj e pavarësisë 17 vite më parë, Kosova ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në demokraci, ekonomi dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Udhëtimi juaj drejt sovranitetit është shënuar nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria,” ka deklaruar ambasadori gjerman.

Rohde ka shprehur gjithashtu krenarinë e Gjermanisë që ka qëndruar pranë Kosovës, duke mbështetur udhëtimin e saj. “Gjermania ka qenë krenare që ka qëndruar pranë jush, duke mbështetur udhëtimin tuaj. Marrëdhënia jonë dypalëshe është një dëshmi e lidhjes së fortë midis kombeve tona,” ka thënë ai.

https://www.facebook.com/reel/2092405047867653