Aeroplani Hamburg-Prishtinë detyrohet të bëjë ulje emergjente në Beograd

28.12.2024

Një aeroplan i kompanisë “Eurowings” që operonte linjën Hamburg-Prishtinë është detyruar të bëjë një ulje urgjente në aeroportin e Beogradit për shkak të një situate të papritur teknike.

Incidenti ndodhi sot, pasi fluturimi Eurowings 5704, që u nis nga Hamburgu në orën 14:30, devijoi kursin dhe zbriti në Beograd në orën 16:25.

Arsyeja e uljes emergjente dyshohet të jetë tymi i parë nga pilotët në kabinën e tyre, çka i detyroi ata të marrin masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe të ekuipazhit.

Si pasojë e këtij incidenti, raportohet se 155 pasagjerë mbetën të bllokuar për rreth tre orë në mjediset e aeroportit të Beogradit, ndërkohë që stafi teknik po kryente hetime për të identifikuar shkakun e problemit. Ende nuk ka informacione të detajuara lidhur me seriozitetin e defektit apo nëse fluturimi ka vazhduar drejt Prishtinës pas ndalimit.