13 kosovarë vdiqën në vendin e tyre të punës gjatë këtij viti, shtatë në ndërtimtari

09.10.2021

Në Kosovë ekziston ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë që për qëllim ka përmirësimin e shkallës së sigurisë dhe shëndetit të të punësuarve në punë. Në kreun II të këtij ligji në nenin 5, pika 1 thuhet se punëdhënësi është përgjegjës për të krijuar kushtet e punës të sigurta dhe të shëndetshme në të […]

13 kosovarë vdiqën në vendin e tyre të punës gjatë këtij viti, shtatë në ndërtimtari Foto: Ilustrim

Në Kosovë ekziston ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë që për qëllim ka përmirësimin e shkallës së sigurisë dhe shëndetit të të punësuarve në punë. Në kreun II të këtij ligji në nenin 5, pika 1 thuhet se punëdhënësi është përgjegjës për të krijuar kushtet e punës të sigurta dhe të shëndetshme në të gjitha aspektet e punës.

Ndërsa, në nenin 7 të këtij ligji ku përfshihen masat parandaluese thuhet:
1. Punëdhënësi detyrohet të zbatojë masat parandaluese, bazuar në parimet e përgjithshme të parandalimit, si:
1.1. shmangien e rreziqeve;
1.2. vlerësimin e rreziqeve të pashmangshme;
1.3. luftimin e rrezikut prej fillimit ose burimit
1.4. tejkalimin e shkaqeve të rrezikut;
1.5. adaptimin e punës ndaj individit, veçmas në lidhje me karakteristikat e vendit të punës dhe ambientit të punës;
1.6. zgjedhjen e pajisjeve, metodave të punës dhe të procesit të punës, për të lehtësua punën e njëtrajtshme- monotone dhe për t’i reduktuar efektet e saj në shëndet;

Mirëpo, duke u bazuar në gjendjen në terren, vërejmë që shumica e detyrimeve që ka punëdhënësi ndaj punëmarrësit nuk përfillen nga këta të parët.

Një dukuri e tillë shqetësuese na ka ndjekur edhe në këtë vit, ku 13 persona vdiqën në vendin e tyre të punës, prej tyre shtatë në ndërtimtari.

Rasti i fundit ka ndodhur ditën e martë në Prishtinë, ku në rrethana tragjike ka vdekur një punëtor në një ndërtesë.

Se kanë vdekur 13 persona, duke llogaritur edhe rastin e së martës, këtë e ka thënë kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës (SPSK), Jusuf Azemi, shtatë prej tyre kanë qenë punëtorë të ndërtimarisë si dhe pesë të tjerë të profileve të ndryshme.

“Nëse e llogarisim edhe rastin e të martës, gjithsej gjatë vitit 2021 kanë vdekur 13 punëtorë, ku shtatë prej tyre janë punëtor të ndërtimtarisë dhe pesë prej tyre janë të profileve të ndryshme”, tha Azemi për lajmi.net.

Kryetari i SPSK-së, Jusuf Azemi ka theksuar se viti 2018, njihet si viti me rekordin më të lartë të numrit të vdekjeve të punëtorëve në vendin e tyre të punës, me gjithsej 27, ndërsa në vitin 2019 ishin gjithsej 17 vdekje të personave në vendin e punës dhe në vitin 2020 me gjithsej 15 raste të tilla.

Po ashtu, i pari i kësaj sindikate, nga Qeveria e Kosovës ka kërkuar krijimin e një fondi të veçantë për të gjithë punëtorët e sektorit privat.

Fond i veçantë për punëtorët e sektorit privat, pasiqë sipas Azemit për vdekje të ndryshme Qeveria po financon me 5 mijë, 10 mijë e 15 mijë euro, ndërsa për punëtorët që humbin jetën në vendin e tyre të punës, Qeveria sipas tij nuk ka as dhimbje për ta dhe se në atë rast nuk kthejnë kokën se çka po ndodhë absolutisht me ta.

Sipas Azemit, kërkesa primare është krijimi i një fondi që familja mos ta ketë barrë ceremoninë e varrimit.

“Nuk janë duke e bërë edhe më të voglën punë ligjore sepse nuk ka ndonjë fond te veqantë, sepse ka raste kur këta punëtorë nuk kanë kushte te mira jetësore, ku punëtorët që punojnë me të mundohen qe të kryejnë ceremoninë e varrimit ashtu pak a shumë siç i ka hije, dhe është hera e 100 ku kemi kërkuar dhe prapë po kërkojmë të jetë një fond qe së paku familja mos ta ketë ngarkesë një ceremoni të varrimit për çdo punëtor të sektorit privat të Kosovës”, përfundoi Azemi.