Itali, arrestohet lideri i një bande shqiptare të dyshuar për mbi 50 vjedhje, dy anëtarë në arrati

20.12.2024

Policia italiane ka arritur të kapë një bandë hajdutësh shqiptarë, të cilët dyshohet se kanë kryer mbi 50 vjedhje në apartamente në rajonet Veneto, Lombardia dhe Emilia Romagna brenda disa javësh.

Operacioni i zhvilluar nga Policia e Padovës, në bashkëpunim me ekipet nga Milano dhe Bergamo, çoi në arrestimin e një 29-vjeçari, i identifikuar si kreu i grupit, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij arritën t’i shpëtojnë kapjes.

Gjatë bastisjeve në bazat logjistike të bandës, policia gjeti mallra të shumta të vjedhura, përfshirë bizhuteri, ora luksoze, çanta, aksesorë dhe veshje të markave të njohura, me një vlerë totale prej mbi gjysmë milioni euro. Hetimi nisi në nëntorin e kaluar, kur agjentët identifikuan një automjet të përdorur në bastisjet, duke përdorur kamera dhe lexues targash për të rindërtuar lëvizjet e grupit.

Kreu i bandës, 29-vjeçari shqiptar, u arrestua në një apartament në Abbiategrasso (Milano). Në këtë lokacion, policia gjeti dhjetëra objekte të vjedhura, dy radio dhe disa telefona të përdorur për komunikim brenda grupit. I riu ka një histori të gjatë kriminale, përfshirë një dënim për shoqatë kriminale dhe vjedhje banesash të kryera në Itali dhe Belgjikë gjatë periudhave 2012-2017.

Njëri nga bashkëpunëtorët, 45-vjeçar, i cili ishte ndjekur deri në një apartament në Bareggio (Milano), arriti të arratiset para se policia të ndërhynte. Një pjesë e mallrave të vjedhura u gjet në shtëpinë e tij, ndërsa partneri i tij u raportua për posedimin e këtyre mallrave. Anëtari i tretë i bandës, gjithashtu i kërkuar për vjedhje, u ndjek në Bottanuco, por arriti t’i shpëtojë policisë. Më vonë ai u lokalizua në Lecco, por ende mbetet në arrati.