Pengim i drejtësisë: Haxhi Shala dënohet me tri vite burg, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari me nga dy

04.02.2025

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Speciale në Hagë ka shpallur vendimin për dënim ndaj Haxhi Shalës, Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit për frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë.

Sipas vendimit të trupit gjykues, kryesuar nga gjyqtarja Mappie Veldt-Foglia, Haxhi Shala është dënuar me tri vjet burg, ndërsa Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari me nga dy vjet burg. Të treve do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Përveç dënimit me burg, Shala, Januzi dhe Bahtijari janë dënuar edhe me gjobë ndaj viktimës së rastit. Shala do të paguajë 400 euro, Januzi 100 euro, ndërsa Bahtijari nuk do të paguajë gjobë.

Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, e ka përshëndetur pranimin e fajësisë nga të tre të akuzuarit si “historik” dhe “me rëndësi kritike për mbrojtjen e integritetit të procedurave” në Dhomat e Specializuara.

Në njoftimin për media thuhet se si Haxhi Shala, ashtu edhe Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, kanë pranuar fajësinë për frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë, në marrëveshje të veçanta me Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kundër tyre ishin ngritur akuza për frikësim gjatë procedurave penale dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

“Marrëveshjet e pranimit të fajësisë janë precedent historik për faktin se ato përfaqësojnë rastin e parë kur të akuzuarit në Dhomat e Specializuara të Kosovës pranojnë vullnetarisht fajin e tyre,” tha Prokurorja West.

Ajo shtoi se ky zhvillim është me rëndësi kritike për mbrojtjen e integritetit të procedurave në Dhomat e Specializuara, si dhe një hap përpara për administrimin e drejtësisë në Kosovë.

Prokurorja e Specializuar gjithashtu theksoi se Zyra e saj është e përkushtuar për vendosjen e papenguar të drejtësisë, bazuar në faktet dhe ligjin.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar ka hetuar krimet kundër administrimit të drejtësisë me qëllim që të garantojë që dëshmitarët të mund të dëshmojnë në gjyq lidhur me krimet që kanë parë apo pësuar pa u druajtur nga frikësimi apo hakmarrja. Këto hetime kanë qenë faktor themelor në përparimin e të gjitha ndjekjeve të tjera penale dhe do të vazhdojnë të jenë pjesë qendrore e punës së ZPS-së,” përfundoi Prokurorja West.