Nga një muaj paraburgim ndaj tre të pandehurve për rrahje brutale në Shtime

23.06.2025

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për tre persona të dyshuar për një përleshje të dhunshme që ndodhi më 20 qershor 2025, në qytetin e Shtimes.

Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit E.S., Sh.R. dhe A.M. janë përfshirë në një incident fizik të rëndë pranë shtëpisë së kulturës, në rrugën “S.S.”, ku disa persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore.

Në vendin e ngjarjes, sipas aktvendimit, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme, të dyshuarit E.S. dhe Sh.R. kanë sulmuar fizikisht J. dhe A.M., duke përdorur thika, shkop druri dhe mjete të tjera të forta. E.S. dyshohet se e ka goditur një nga viktimat me dorëzën e thikës dhe më pas me një shkop druri në kokë, ndërsa H. (person tjetër i përfshirë) ka përdorur thikë dhe grushta ndaj një tjetri.

Ndërkaq, edhe i dyshuari A.M. për të cilin është caktuar paraburgimi, dyshohet se gjatë incidentit ka goditur me gur dhe shufër hekuri tre persona të tjerë: H.B., Sh.R. dhe E.S., duke u shkaktuar lëndime trupore të dokumentuara nga raportet mjekësore.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake, Alba Makolli, ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, në përputhje me nenet përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjykata thekson se ankesa ndaj këtij vendimi nuk e pezullon ekzekutimin e tij, çka do të thotë se paraburgimi hyn në fuqi menjëherë.