Malishevë, 19 vjet e gjysmë burg për të akuzuarin që vrau xhaxhain e tij
Gjykata Themelore në Gjakovë ka marrë vendim për uljen e dënimit ndaj të akuzuarit Berat Berisha, i cili ngarkohet për vrasjen e xhaxhait të tij, S.B., ngjarje kjo që kishte ndodhur më 28 prill 2023 në fshatin Kijevë të Malishevës.
Në rigjykimin e çështjes, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Drilon Haraçia e shpalli Berishën fajtor për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, duke e dënuar me 19 vjet e 6 muaj burgim, një ulje prej 1 viti e gjysmë krahasuar me dënimin fillestar prej 21 vjetësh.
Gjykata njoftoi se të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 28 prill 2023.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ngjarja kishte ndodhur pas një konflikti verbal mes Berishës dhe xhaxhait të tij, të cilin i akuzuari e dyshonte se kishte pasur raport intim me gruan e tij. Pas shkëmbimit të fjalëve, Berisha kishte hyrë në shtëpi, kishte marrë një pistoletë dhe kishte qëlluar viktimën disa herë në trup dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.
Raporti i autopsisë konfirmoi se viktima kishte ndërruar jetë si pasojë e gjakderdhjes së brendshme në regjionin e kokës dhe kraharorit nga predhat e shkrepura nga arma e zjarrit.
Gjykata po ashtu ka urdhëruar konfiskimin e armëve dhe municionit, përfshirë një pistoletë gjysmë automatike Crvena Zastava, një pushkë gjuetie me dy tyta të tipit Huglu, fishekë dhe një rrethatore për mbajtjen e tyre, të cilat u përdorën gjatë kryerjes së veprës penale.
Ndaj këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të tij në formë të shkruar.
Berisha ngarkohet për dy vepra penale:
- “Vrasje e rëndë” sipas nenit 173 të Kodit Penal, dhe
- “Mbajtje e paautorizuar e armëve” sipas nenit 366 të po të njëjtit Kod.
Fillimisht, më 27 maj 2024, Gjykata Themelore e kishte dënuar Berishën me 21 vjet burgim, por pas ankesës së Prokurorisë dhe vendimit të Gjykatës së Apelit më 16 tetor 2024, çështja ishte kthyer në rigjykim, që përfundoi me dënimin e ri.