“Moment i errët për mua si njeri i drejtësisë”, Hajredin Kuçi deklarohet i pafajshëm në Hagë
Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, u paraqit sot për herë të parë para Gjykatës Speciale në Hagë, ku po përballet me akuza për ndikim mbi dëshmitarë.
Në një deklaratë të fortë, Kuçi u shpreh kategorikisht i pafajshëm për të gjitha akuzat.
“Jam plotësisht i pafajshëm. Sot është një nga momentet më të errëta për mua si një njeri i drejtësisë”, tha Kuçi në sallën e gjyqit. Ai theksoi se gjithë jeta e tij ka qenë e përkushtuar ndaj drejtësisë, duke iu referuar rolit të tij si profesor i drejtësisë, kryetar i Komisionit Kushtetues të Kosovës dhe ministër i Drejtësisë.
“Jam identifikuar me drejtësinë. Si profesor i drejtësisë për mbi 30 vite, si kryetar i komisionit kushtetues të Republikës së Kosovës, që Kushtetuta është ende në fuqi, si zëvendëskryeministër për rend dhe ligj për tri mandate dhe ministër i Drejtësisë për dy mandate”, shtoi Kuçi.
Së bashku me Kuçin, në të njëjtën aktakuzë përfshihen edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, dhe Fadil Fazliu. Të gjithë këta persona akuzohen për vepra të ndryshme penale, përfshirë pengimin e drejtësisë dhe ndikimin në dëshmitarë.
Gjatë ditës së sotme pritet që ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, të paraqitet para gjykatës për të dhënë deklaratën e tij.