Kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve në rastin “Banjska” – Dyshohen për deklarim të rremë dhe ndihmë grupit terrorist
Avokati Naim Rudari, përfaqësues ligjor i policit të plagosur Alban Rashiti në rastin “Banjska”, ka njoftuar se ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve të përfshirë në këtë rast. Sipas Rudarit, këta persona dyshohen se kanë kryer disa vepra penale, përfshirë deklarimin e rremë në gjykim dhe ndihmën ndaj grupit terrorist. Sipas deklaratës së […]
Avokati Naim Rudari, përfaqësues ligjor i policit të plagosur Alban Rashiti në rastin “Banjska”, ka njoftuar se ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve të përfshirë në këtë rast. Sipas Rudarit, këta persona dyshohen se kanë kryer disa vepra penale, përfshirë deklarimin e rremë në gjykim dhe ndihmën ndaj grupit terrorist.
Sipas deklaratës së tij publike në Facebook, më 22 dhe 24 korrik 2025, dy prej dëshmitarëve janë paraqitur për të dëshmuar rreth ngjarjeve të ndodhura gjatë dhe pas sulmit terrorist në Bajnskë. Megjithatë, avokati pretendon se ata kanë ndryshuar versionin e tyre të ngjarjes dhe kanë mohuar deklaratat e mëparshme, të cilat sipas tij i kishin bërë për përfshirjen e tyre në ndihmën që i kanë ofruar grupit të armatosur.
“Ata, përveç se kishin ndihmuar grupin terrorist që të strehohen në hotelin Rajnska Banja në fshatin Bajnskë, kishin premtuar se do t’i evidentonin si punëtorë të hotelit për të mos u identifikuar nga autoritetet,” shkroi Rudari. Ai shtoi se personat e përfshirë kishin ofruar ndihmë për të plagosurit e grupit dhe kishin ndihmuar në ndryshimin e pamjes së tyre duke i veshur me rroba civile, për t’i ndihmuar të largohen nga vendi i ngjarjes.
Avokati theksoi se detyrimi ligjor për të thënë të vërtetën në gjykatë nuk ka alternativë dhe se këta dëshmitarë janë përpjekur të mbulojnë kriminelët duke mohuar faktet e dokumentuara më parë.
“Kërkojmë hetim të menjëhershëm nga Prokuroria, sepse edhe pse posedojmë prova, hetimi institucional do të ndihmonte në sigurimin e të gjitha fakteve për ata që ndihmuan grupin terrorist në Bajnskë,” theksoi Rudari, duke shtuar se një hetim i plotë është borxh ndaj familjes së rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, policit Alban Rashiti, Policisë së Kosovës dhe gjithë qytetarëve të vendit.
Ngjarja në fjalë ka të bëjë me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë më 11 shtator 2024 ndaj Milan Radojçiq dhe 44 të tjerëve, për vepra të rënda si: terrorizëm, sulm ndaj rendit kushtetues, financim të terrorizmit dhe pastrim parash.
Rasti “Banjska” vazhdon të jetë një nga hetimet më të ndjeshme në vend, për shkak të ndërlidhjeve të mundshme me strukturat shtetërore të Serbisë dhe implikimeve të rënda për sigurinë në veri të Kosovës.