Shtyhet për të hënën seanca për rastin “Banjska” në mungesë të dëshmitarit anonim

18.07.2025

Seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit është shtyrë për ditën e hënë, për shkak të mungesës së dëshmitarit anonim, të propozuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, seanca ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq ka nisur sot rreth orës 09:00, por vetëm pak minuta pas fillimit, gjykatësi ka vendosur që ajo të shtyhet, duke sqaruar se dita ishte planifikuar për dëgjimin e dëshmitarit anonim, i cili nuk ishte i pranishëm.

Të tre të akuzuarit ndodhen nën masën e paraburgimit, si pjesë e grupit që Prokuroria Speciale e Kosovës e ngarkon për sulmin terrorist të datës 24 shtator 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa u rrezikua edhe jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe e popullatës civile.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shtator 2024, të pandehurit akuzohen se, përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë, kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës për t’ia bashkuar Republikës së Serbisë.

Në këtë rast janë të përfshirë gjithsej 45 persona, përfshirë edhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili ndodhet në arrati bashkë me 40 të akuzuar të tjerë dhe ndaj të cilëve është lëshuar fletarrest ndërkombëtar.

Seanca e radhës për këtë rast të profilit të lartë do të mbahet të hënën, ku pritet të dëgjohet dëshmitari i propozuar nga Prokuroria.