“Prizren Fest” – Kur kujtesa historike dhe fëmijëria bashkëjetojnë në skenë
Në zemër të qytetit historik të Prizrenit, festivali “Prizren Fest” po ofron një mozaik të pasur emocionesh dhe shfaqjesh artistike që prekin thellë publikun – nga reflektimi i historisë sonë kolektive deri te gëzimi i pafajshëm i fëmijërisë.
Në një vend me simbolikë të fuqishme si Burgu i Qytetit, u dha shfaqja “Bëje ose vdis”, një produksion i Teatrit të Qytetit “Hadi Shehu” nga Gjakova. Me tekst të autorit të njohur Jeton Neziraj dhe regji nga Blerta Rrustemi-Neziraj, kjo vepër me tematikë të thellë politike e njerëzore, i kushtohej figurës së Ukshin Hotit – intelektualit të shquar dhe simbolit të qëndresës shqiptare. Një shfaqje e fuqishme që i kujtoi publikut sakrificat mbi të cilat u ndërtua liria.
Pak minuta më vonë, përgjatë bregut të lumit, u ndërrua skena por jo intensiteti i emocioneve. Shfaqja për fëmijë “Tomi e Xheri II” solli një rrëfim të gjallë, plot humor dhe energji, ku të vegjlit u përfshinë drejtpërdrejt në lojë skenike, duke mësuar për miqësinë, tolerancën dhe dashurinë përmes aventurës klasike të dy personazheve të dashur.
Ndërkohë, gjatë gjithë javës, “Prizren Fest Kids Workshop” u zhvillua në ambientet e Shkollës së Muzikës “Lorenc Antoni”, ku fëmijë të moshës 10–13 vjeç patën rastin të mësojnë të shprehen përmes gjuhës trupore, pantomimës dhe lojës artistike. Workshop-i u udhëhoq nga artistët ndërkombëtarë Ayla Kazaz dhe Vojo Cvetanovski, me përkrahjen e OSBE-së, duke krijuar hapësirë për edukim dhe krijimtari.
Shfaqja ndërkombëtare “Oranges and Stones” nga Palestina, e planifikuar për mbrëmjen e kaluar, është shtyrë për datën 28 korrik 2025, në mbyllje të festivalit.
Sot, festivali vazhdon me dy shfaqje të fuqishme: “Drunks” nga Bullgaria, që do të jepet në ora 19:30 në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu”, dhe “8%” nga Maqedonia e Veriut, një shfaqje teatrore dokumentare-verbatim që do të prezantohet te Autostrada Biennale Hangar II në ora 21:30.
Në skenën e Prizren Fest Kids, për herë të parë do të prezantohet një shfaqje profesionale për fëmijë në gjuhën e shenjave – “TRE” nga Maqedonia e Veriut, që nis nga ora 20:30 në Teatrin mbi Lum.
Me një program që përfshin si kujtesën historike ashtu edhe gëzimin e pastër të fëmijërisë, “Prizren Fest” po dëshmon se arti është ura që lidh breza, kultura dhe ndjenja të thella njerëzore.