Prizren Fest 2025 sjell një javë teatri nga e gjithë Evropa në zemër të qytetit
Prizreni këtë korrik bëhet epiqendra e artit skenik ndërkombëtar, përmes edicionit të radhës të Prizren Fest 2025, një festival që sjell zëra të guximshëm, histori të pathëna dhe performanca të paharrueshme nga vende të ndryshme të botës.
Nga Palestina në Francë, nga Greqia në Kosovë, ngjarjet e festivalit prekin tema thelbësore si lufta, kujtesa, identiteti, diskriminimi dhe liria personale.
Në qendër të programit:
“8%” – Maqedonia e Veriut
Data: 27 korrik 2025 | Ora: 21:30 | Lokacioni: Autostrada Biennale – Hangar-ITP
Shfaqje dokumentare-verbatim mbi diskriminimin dhe korrupsionin në Maqedoninë e Veriut. Dëshmi reale të grave, personave me aftësi të kufizuara dhe qytetarëve të margjinalizuar trajtohen me ndershmëri të rrallë. Autor i shfaqjes është Jovan Ristovski, në bashkëpunim me Vesna Kusleska. Një mesazh i fortë i ngjizur në vetë titullin: “Ne jemi sistemi – dhe të gjithë jemi përgjegjës.”
“DRUNKS” – Bullgaria
Data: 27 korrik 2025 | Ora: 19:30 | Teatri “Bekim Fehmiu”
Një shfaqje që sjell 14 personazhe të dehur në një natë të vetme. Të liruar nga maskat shoqërore, ata zbulojnë të vërtetat e tyre më të thella. Regjisorja Desislava Shpatova ndërthur tragjiken me komiken për të trajtuar pyetjet më të mëdha të ekzistencës.
“ORANGES AND STONES” – Palestina
Data: 26 korrik 2025 | Ora: 21:45 | Lidhja e Prizrenit
Një shfaqje pa tekst që rrëfen me gjuhën e trupit dhe muzikës historinë e pushtimit dhe dëbimit. E ndjeshme dhe e fuqishme, ajo na kthen pas në kohë në konfliktin izraelito-palestinez, me një dramë që mbështetet mbi simbolika dhe përballje emocionale.
“BËJE OSE VDIS” – Kosova
Data: 26 korrik 2025 | Ora: 20:00 | Burgu i Qytetit – Prizren
Shfaqje-homazh për Ukshin Hotin, intelektualin e zhdukur që mbetet simbol i rezistencës shqiptare. Me tekst nga Jeton Neziraj dhe regji nga Blerta Rrustemi-Neziraj, kjo vepër vjen si një akt kujtese dhe ndërgjegjësimi.
“P’TIT JEAN LE GÉANT” – Franca
Data: 25 korrik 2025 | Ora: 21:30 | Katedralja Katolike e Zojës Ndihmëtare
Simon Pitaqaj sjell një histori përballjeje me të kaluarën dhe trashëgiminë e dhunës nga një gjeneral lufte. Një rrëfim i thellë për fajin, heshtjen dhe gratë si bartëse të kujtesës kolektive.
“UNË JAM VET GRUA” – Kosova
Data: 25 korrik 2025 | Ora: 20:00 | Teatri “Bekim Fehmiu”
Jetesa e Charlotte von Mahlsdorf, një transgjinore gjermane që mbijetoi dy regjime totalitare, vjen në skenë përmes një aktori të vetëm që luan rreth 30 role. Një portret i fuqishëm i mbijetesës, identitetit dhe moralit në kohë të errëta.
“OEDIPUS REX” – Greqia
Data: 24 korrik 2025 | Ora: 21:00 | Amfiteatri – ITP
Një klasik i teatrit grek antik, me regji nga Thanassis Sarantos dhe vlerësuar me çmime prestigjioze në Greqi. “Edipi Mbret” vazhdon të sfidojë fatin dhe ndërgjegjen njerëzore me një intensitet të pakrahasueshëm.
“LA BEAUTÉ DU SOUVENIR” – Franca
Data: 24 korrik 2025 | Ora: 18:00 | Shtëpia e të Moshuarve “Jetimat e Ballkanit”
Një shfaqje ndjesore që përfshin vetë banorët e shtëpisë së të moshuarve. Poetike, prekëse dhe reflektuese, ajo na fton të rimendojmë pleqërinë dhe kujtesën si pasuri emocionale.
Prizren Fest 2025 sjell jo vetëm performanca artistike, por edhe një reflektim të thellë mbi botën ku jetojmë. Për dashamirët e teatrit, kulturës dhe temave që kërkojnë guxim për t’u trajtuar, ky festival është një thirrje për të dëgjuar, parë dhe ndjerë.