Koncert i jashtëzakonshëm në Suharekë, bashkoi artin, kulturën dhe gratë aktiviste
Një mbrëmje e veçantë dhe e pasur me emocione u zhvillua në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë, ku një koncert madhështor me muzikë klasike i dha jetë skenës.
Në këtë event të veçantë, u mblodhën adhurues të artit dhe kulturës, për të shijuar interpretime të mrekullueshme nga emra të njohur të këtij zhanri.
Treshja e talentuar, Besiana Mehmeti, Alba Muqolli dhe Adelina Paloja, me interpretimet e tyre virtuozë, e bënë mbrëmjen edhe më të veçantë. Madhështin e koncertit e shtuan edhe dy emra të njohur të skenës muzikore shqiptare, maestro Zhani Ciko dhe Rudina Ciko, profesoreshë nga Tirana.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i mirëpriti të gjithë të pranishmit dhe u shpreh i kënaqur me suksesin e këtij eventi. Ai i falënderoi artistet për kontributin e tyre dhe u uroi suksese në të ardhmen. Gjithashtu, Muharremaj bashkë me nënkryetaren Mihrije Suka, ndanë Mirënjohje për Gratë aktiviste të cilat kanë dhënë një kontribut të çmueshëm në zhvillimin e kulturës në Suharekë dhe në frymëzimin e brezave të rinj.
Ky aktivitet i veçantë u organizua në kuadër të aktiviteteve për përkujtimin e Flakës së Janarit, duke theksuar rëndësinë e kulturës dhe artit në ruajtjen e identitetit kombëtar.