17 artistë shqiptarë hapin ekspozitë në Zvicër

08.11.2024

Nesër do të hapet ekspozita e përbashkët e 17 artistëve shqiptarë në qytetin Wetzikon në Zvicër, e cila vazhdon deri më 1 dhjetor. Abdusamed Sadriji, kryetar i Shoqatës së Artistëve “Art Plisi” në Zvicër, theksoi se qëllimi kryesor është të prezantohet arti dhe kultura shqiptare para opinionit zviceran dhe se shqiptarët kanë nevojë të njihen me artistë të denjë. Sipas tij, do të ketë vizitorë të shumtë meqë galeria ka aktivitete shumë të ngjeshura dhe vizitorë.

Sadriji në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” tregoi për përshtypjet që kanë të huajt.

“Pronari i galerisë, duke e bërë aranzhimin e pikturave, na ka dhënë komplimente dhe ka thënë se jam i befasuar me nivelin e pikturave të shqiptarëve dhe kurrë s’e kisha besuar që ka artistë kaq të mëdhenj dhe që krijojnë këso vepra kaq të bukura”, tha ai.

Ai shtoi se ideja dhe qëllimi i kësaj ekspozite është që t’i ngrehin mundësitë për të ndihmuar në rritjen ndërgjegjësimit për artin shqiptar dhe për të promovuar veprat e artistëve që janë të lidhur me trashëgiminë dhe kulturën shqiptare, sidomos para publikut vendas.

Ndër të tjera, ai theksoi se artistët pjesëmarrës janë kryesisht që jetojnë në Zvicër, por ka nga hapësira të ndryshme shqiptare, si Kosova, Shqipëria dhe një ndër ta është artisti Saimir Strati nga Tirana.

“Pjesë të kësaj ekspozite janë disa emra të artit shqiptar, Saimir Strat, i cili ka thyer njëmbëdhjetë rekorde botërore me teknika të ndryshme të mozaikut, maestro Idriz Berisha, i cili është me përvojë të gjatë dhe vjen nga Kosova, Ramë Dardania, artist kosovar, i cili është etabluar shumë mirë në artin ndërkombëtar dhe gjithashtu artistë të tjerë të cilët janë të denjë dhe shumica janë anëtarë të Shoqatës së Artistëve ‘Art Plisi’”, tha Sadriji.