Konflikti Izrael-Iran intensifikohet, mbi 90 të plagosur në Izrael

para 29 dite

Konflikti i armatosur midis Izraelit dhe Iranit ka hyrë në javën e dytë, me përshkallëzim të sulmeve ajrore nga të dyja palët.

Konflikti Izrael-Iran intensifikohet, mbi 90 të plagosur në Izrael

Irani ka shënjestruar pjesë të Izraelit jugor dhe verior, duke shkaktuar mbi 90 të plagosur. Vetëm në qytetin e Haifës, siç raportojnë burime mjekësore të cituara nga CNN, janë konfirmuar 33 të lënduar. Ndërkohë, shpërthime janë dëgjuar edhe në Tel Aviv dhe Jerusalem, duke shtuar ndjeshëm shqetësimet për sigurinë e civilëve në zonat urbane.

Në kundërpërgjigje, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë nisur një valë të re sulmesh në territorin iranian. Sipas një deklarate zyrtare, objektivat përfshijnë infrastrukturën për magazinimin dhe lëshimin e raketave në Iranin qendror. Agjencia shtetërore iraniane Fars raportoi se ndër objektivat e sulmuara ishte edhe objekti bërthamor në Isfahan, megjithëse autoritetet iraniane kanë mohuar rrjedhjen e ndonjë materiali të rrezikshëm.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, në një intervistë për gazetën gjermane Bild, deklaroi se falë operacioneve izraelite, aftësia e Iranit për të zhvilluar një bombë bërthamore është vonuar për të paktën dy deri në tre vjet. Ai theksoi se qëllimet kryesore të fushatës ushtarake janë eliminimi i programit bërthamor, i raketave balistike dhe i asaj që Izraeli e quan “program eliminimi” – një kërcënim i drejtpërdrejtë për ekzistencën e shtetit izraelit. Saar u shpreh se Izraeli nuk kërkon ndërrim regjimi në Teheran, por synon shkatërrimin e kapaciteteve kërcënuese.

Në lidhje me përpjekjet diplomatike që po zhvillohen në Gjenevë, Saar shprehu skepticizëm, duke thënë se diplomacia me Iranin ka dështuar në të kaluarën dhe po përdoret nga Teherani për të fituar kohë. Ai kritikoi gjithashtu mungesën e bashkëpunimit të Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) dhe vlerësoi kancelarin gjerman Friedrich Merz për qëndrimin e tij të ashpër ndaj kërcënimeve iraniane. Saar gjithashtu kërkoi nga qeveritë evropiane që të rrisin sigurinë për komunitetet hebraike, duke paralajmëruar për rreziqe të mundshme në tokën evropiane.

Në anën tjetër, Teherani ka shfaqur dyshime të mëdha për sinqeritetin e Shteteve të Bashkuara në bisedimet e ardhshme. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, në një intervistë për NBC News, deklaroi se sulmet ajrore izraelite disa ditë para bisedimeve dëmtojnë besimin dhe shanset për marrëveshje. Ai theksoi se tashmë është përgjegjësi e administratës amerikane që të dëshmojë përkushtimin e saj për një zgjidhje diplomatike, duke e vënë në pikëpyetje mundësinë e suksesit të negociatave që po zhvillohen në Gjenevë.

Etiketat

Ofertat e fundit