Goditen 4 grupe shqiptare, 67 të arrestuar e dhjetëra pasuri të sekuestruara
Të paktën 67 të arrestuar, dhjetëra llogari bankare, shoqëri tregtare dhe automjete të sekuestruara, janë rezultati i një operacioni të zhvilluar në disa shtete evropiane që çoi të hënën, në shkatërrimin e katër grupeve kriminale shqiptare të cilat ndërvepronin me njëra tjetrën për trafikun e lëndëve narkotike, shpërndarjen dhe shitjen e saj në tregjet italiane.
Operacioni u finalizua pas një hetimi disa vjeçar të kryer nga një skuadër e përbashkët mes autoriteteve italiane të Antimafias dhe Prokurorisë së Posaçme shqiptare kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, me ndërmjetësimin e Eurojust.
Ndërhyrja për arrestimin e anëtarëve të grupeve të dyshuara kriminale, e mbështetur dhe nga Europol dhe Interpol, u shtri veçse në Shqipëri e Itali, edhe në Spanjë, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Rrjeti kryesisht trafikonte heroinë, kokainë, hashash duke përdorur makina me dysheme të dyfishtë ose ndarje të fshehta.
Në Shqipëri, sipas njoftimit të Prokurorisë së posaçme, operacioni i së hënës çoi në sekuestrimin e 32 subjekteve tregtare, 45 automjeteve, 4 motomjeteve, mbi 200 llogari bankare, dhe 19 pasurive të paluajtshme, të cilat përllogariten të kenë një vlerë mbi 5 milionë euro.
Grupet kriminale që ishin pjesë e rrjetit, kishin detyra të ndara që nga furnizimi, shpërndarja dhe logjistika.
Njëri e kishte qendrën në Firenze dhe Mugello të Italisë, një tjetër në Holandë ku mbulonte Evropën veriore dhe nevojat për importe të drogës drejt Italisë, një grup ishte shtrirë në qytete të ndryshme italiane, ndërsa grupi i katërt mbulonte shpërndarjen dhe tregtimin nëpër rrugët e sheshet e Italisë.
Sipas dokumenteve të gjetura nga autoritetet italiane, rrjeti arrinte të shiste deri afro 50 kile kokainë në muaj.