Gjermania po heton përgjimin e dyshuar të videokonferencave ushtarake në Ukrainë

02.03.2024

Gjermania po heton përgjimin e dyshuar të një video-konference ushtarake gjermane për Ukrainën, tha të premten ministria e mbrojtjes.

Gjermania po heton përgjimin e dyshuar të videokonferencave ushtarake në Ukrainë Foto: Ilustrim

Më herët në rrjetet sociale u publikua një audio incizim i një diskutimi mes oficerëve gjermanë për vendosjen e raketave të lundrimit në Krime. Autenticiteti i videos u konfirmua sot dhe kancelarja gjermane premtoi një hetim të plotë.

“Ne po hetojmë nëse komunikimet në sektorin e forcave ajrore janë përgjuar”, tha një zëdhënëse e Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, duke shpjeguar se nuk mund të thoshte asgjë për përmbajtjen e bisedës së dyshuar të përgjuar. Ajo vetëm shtoi se shërbimi gjerman i kundërzbulimit kishte nisur tashmë të gjitha masat e nevojshme.

Agjencia gjermane e lajmeve dpa mësoi sot se ekspertët kanë konfirmuar vërtetësinë e regjistrimit 30-minutësh, i cili u publikua të premten nga drejtuesja e televizionit shtetëror rus RT, Margarita Simonyan . Në të, oficerë të rangut të lartë të Forcave Ajrore Gjermane diskutojnë sulmin në gadishullin e Krimesë, ose mundësinë e instalimit të raketave të lundrimit Taurus të prodhimit gjerman.

Temat e diskutimit përfshijnë gjithashtu shënjestrimin e raketave në objektiva të tilla si ura që lidh Krimenë me Rusinë përmes ngushticës Kerç, si dhe përdorimin e raketave të ofruara për Kievin nga Franca dhe Britania e Madhe. Videoja përfshin gjithashtu një përmendje të ndjeshme politikisht se britanikët kanë “disa njerëz në terren” në lidhje me vendosjen e raketave të tyre të lundrimit Storm Shadow të dërguara në Ukrainë.

Për video-konferencën, ushtria gjermane përdori platformën Webex në vend të rrjetit të brendshëm sekret ushtarak, raporton agjencia franceze e lajmeve AFP.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova , njoftoi sot se Rusia kërkon shpjegime nga Gjermania. “Përpjekjet për të shmangur përgjigjen e pyetjeve do të konsiderohen si pranim i fajit”, tha ajo.

Në margjinat e vizitës së tij sot në Vatikan, kancelari gjerman Olaf Scholz premtoi një hetim të plotë dhe të shpejtë për publikimin e një regjistrimi të një diskutimi mes oficerëve, të cilin ai e cilësoi si një çështje shumë serioze, transmeton dpa.

Kryetarja e komitetit të mbrojtjes në Bundestag, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, në përgjigje të grupit mediatik Redaktionsnetzwerk Deutschland (RND), mbrojti për përmirësimin e veprimtarisë së sigurisë dhe kundërzbulimit në Gjermani, e cila, sipas saj, është qartësisht vulnerabël në këtë fushë.

Ukraina prej kohësh i kërkon Gjermanisë furnizimin me raketa Taurus, të cilat mund të arrijnë objektiva deri në 500 kilometra larg. Kancelari gjerman Olaf Scholz deri më tani e ka hedhur poshtë këtë mundësi, duke thënë se kjo do të çonte vetëm në një përshkallëzim të konfliktit.