Çfarë po ndodhë me çmimin e kafesë në botë dhe efektet në Evropë?
Dashamirësit e kafesë në Evropë po përgatiten për çmime më të larta pasi katastrofat natyrore kanë goditur dhe vazhdojnë të godasin dy vendet më të mëdha prodhuese të kafesë në botë.
Foto: Ilustrim
Sipas mediave të huaja, thatësirat në Brazil, prodhuesi më i madh i kafesë në botë, dhe tajfunet e fuqishme në Vietnam, prodhuesi i dytë më i madh, kanë ndërprerë ndjeshëm zinxhirët globalë të furnizimit të kafesë, duke rritur kostot e prodhimit që po reflektojnë edhe te konsumatorët.
Si një nga rajonet më të mëdha në botë i konsumimit të kafesë, Evropa, përkatësisht konsumuesit në këtë rajon, do ta kenë veçanërisht të vështirë për “të gëlltitur rritjet e çmimeve”.
Ndryshe, evropianët konsumojnë afërsisht 3.2 milionë tonë metrikë kafe në vit, që përbën pothuajse 33% të konsumit total të kafesë në botë, sipas kompanisë gjermane të të dhënave të konsumatorit Statista.
Fatkeqësitë natyrore kanë bërë kërdinë
Sipas shkrimit të Euronews, Brazili, përgjegjës për rreth 40% të prodhimit të kafesë në botë, është përballur me një nga thatësirat më të këqija në dekada.
Kushtet e thata kanë ndikuar rëndë rajonet e saj të rritjes së kafesë arabica dhe kanë reduktuar rendimentet.
Cikli i të korrave 2023-2024 ka parë tashmë një rënie të madhe të prodhimit, me disa vlerësime që theksojnë se prodhimi mund të bjerë deri në një të pestën (20%).
Ndikimi është ndjerë më i mprehtë në Minas Gerais, shteti më i madh i prodhimit të kafesë në Brazil dhe shtëpia e kokrrave të cilësisë së lartë arabica, që ka përjetuar muaj me reshje nën mesataren.
Ndërsa Brazili dominon tregun me arabica, Vietnami është prodhuesi kryesor në botë i kokrrës robusta më të lirë – të përdorur në “kafenë e çastit”.
Në fillim të këtij muaji, disa rajone kryesore të vendit për kultivimin e kafesë u shkatërruan nga tajfuni Yagi, i cili vrau të paktën 60 njerëz dhe la qindra të lënduar.
Vlerësimet e hershme thonë se mijëra hektarë plantacione kafeje u prekën, me humbje të konsiderueshme si për korrjen aktuale ashtu edhe për potencialin e ardhshëm të prodhimit, pasi pemët e dëmtuara do të duhen vite për t’u rikuperuar.
Çmimet në një nivel të lartë 10-vjeçar
Efektet e kombinuara të thatësirës së Brazilit dhe tajfunit të Vietnamit kanë shkaktuar një rritje të mprehtë të çmimeve globale të kafesë.
Organizata Ndërkombëtare e Kafesë (ICO), organi ndërqeveritar i përbërë nga vendet eksportuese dhe importuese të kafesë, raportoi se çmimet u rritën me gati 20% në tremujorin e tretë të 2024, duke arritur nivelet e tyre më të larta në pothuajse një dekadë.
Katharina Erfort, nga kompania ndërkombëtare e menaxhimit të zinxhirit të furnizimit Inverto është me pak shpresë për mundësinë e një rikthimi në çmimet normale, së shpejti.
Duke folur për Euronews Business, ajo tha: “Një rimëkëmbje e shpejtë për sektorin e kafesë nuk ka gjasa, edhe me përmirësime të mundshme në furnizim”.
“Efektet e vazhdueshme të ndryshimit të klimës e bëjnë të vështirë kthimin e shpejtë në stabilitet. Sektori mbetet i prekshëm ndaj modeleve ekstreme të motit që mund të vazhdojnë të pengojnë të korrat e ardhshme. Përveç kësaj, rritja e kërkesës globale, veçanërisht në tregjet në zhvillim si Azia, mund të vazhdojë të ushtrojë presion në rritje mbi çmimet, duke ngadalësuar më tej përpjekjet e rimëkëmbjes”.
Rritjet e mprehta të çmimeve kanë shkaktuar tronditje në tregun global të kafesë.
Tregtarët e kafesë po përballen me paqëndrueshmëri të shtuar, me shqetësimet në rritje se ndërprerjet e vazhdueshme të lidhura me motin dhe kostoja e rindërtimit pas fatkeqësive natyrore mund të rrisin çmimet edhe më shumë.
Ndërsa analisti i mallrave bujqësore në Rabobank, Carlos Mera tha për Bloomberg se kjo krizë është e ndërlikuar nga sfidat logjistike, të tilla si bllokimi i porteve dhe mungesa globale e kontejnerëve të transportit, të cilat po pengojnë lëvizjen e kafesë në mbarë botën.
Po Evropa?
Efektet e rritjes së kostove janë veçanërisht të theksuara në Evropë.
Në Gjermani, tregu më i madh i kafesë në Evropë, çmimet me pakicë për kafenë e bluar dhe kokrrat e kafesë janë rritur me një mesatare prej 10% që nga viti 2022, sipas Statista.
Një sondazh nga Federata Evropiane e Kafesë (ECF) me qendër në Bruksel zbuloi se gati 65% e kafeneve në Evropë i kanë rritur çmimet e tyre nga 5% deri në 15% që nga fillimi i vitit 2023.
Studiuesit vunë në dukje se rritjet ka të ngjarë të shkaktohen nga një gamë faktorësh përtej kostos së kokrrave të kafesë, pasi inflacioni kishte rritur çmimin e gjërave të tjera thelbësore si qumështi, sheqeri dhe “gotat e disponueshme”.
Kështu, mund të thuhet se ndërsa dy prodhuesit e mëdhenj të kafesë në botë luftojnë për t’u rikuperuar nga krizat e tyre përkatëse, perspektiva për tregun global të kafesë mbetet e pasigurt.