Zbulohet një plantacion i madh kanabisi në Austri, arrestohen dy shqiptarë
Një bunker i fshehur në një ish-bar në lagjen 14 të Vjenës është zbuluar nga hetuesit e lëndëve narkotike të mërkurën, duke çuar në shkatërrimin e një plantacioni të organizuar të kanabisit.
Operacioni nisi pas raportimeve dhe dyshimeve të fqinjëve për aktivitet të dyshimtë në lokalin e mbyllur prej kohësh.
Një nga banorët deklaroi se persona të panjohur dhe të dyshimtë vinin e dilnin vazhdimisht nga lokali. Gjithashtu, ai përmendi erën e fortë të kanabisit që përhapej në zonë, si dhe problemet e vazhdueshme me furnizimin me energji elektrike në ndërtesë. Këto detaje çuan hetuesit drejt lokalit të dyshuar.
Kur policia arriti të hynte në ambientet e braktisura, dy burra shqiptarë, përkatësisht 38 dhe 44 vjeç, dolën nga një bodrum përmes një vrime në dysheme, duke u përpjekur të shmangnin policinë. Pavarësisht përpjekjes për t’u arratisur, ata u ndaluan dhe u arrestuan në vendngjarje.
Gjatë kontrollit në bodrum, oficerët zbuluan një fidanishte të madhe kanabisi me 843 bimë të lulëzuara, të gatshme për korrje. Bimët u konfiskuan menjëherë. Në vijim të operacionit, autoritetet arrestuan edhe një të tretë, qiramarrësin 42-vjeçar të lokalit, i cili dyshohet të jetë një ithtar vendas i mafies.
Tre të arrestuarit akuzohen në bazë të dispozitave të Ligjit për Drogat Narkotike, ndërsa dyshohet se ata ishin të përfshirë në një organizatë kriminale që përfitonte edhe nga vjedhja e energjisë elektrike për rritjen e bimëve. Zyra e prokurorit publik të Vjenës ka ngritur akuza kundër tyre dhe po vijon hetimet për të zbuluar lidhje të mundshme me rrjete më të gjera kriminale.