Austri, 28-vjeçari kosovar sulmohet me thikë pas një mosmarrëveshjeje, përfundon në spital
Një mosmarrëveshje mes disa personave ka përfunduar me dhunë të madhe gjatë fundjavës në qendër të qytetit të Linzit, Austri.
Sipas raportimeve të mediave lokale, përfshirë Oberösterreichische Nachrichten, një i ri nga Kosova është sulmuar me thikë në një incident që përfshiu disa persona.
Ngjarja ndodhi në një zonë të frekuentuar të qytetit, ku një dëshmitar ka parë një përleshje mes tetë personave dhe ka njoftuar menjëherë policinë. Gjatë përplasjes, një 24-vjeçar nga Linzi ka sulmuar me thikë një 28-vjeçar nga Kosova. Ky i fundit ka arritur ta shmangë plagosjen fatale duke ia hequr thikën sulmuesit, por situata është përshkallëzuar më tej kur një 22-vjeçar nga Goldwörth ka ndërhyrë dhe ka goditur kosovarin.
Policia ka arritur në vendin e ngjarjes, por të përfshirët janë larguar me shpejtësi në drejtimet të ndryshme. Megjithatë, një 28-vjeçar kosovar nga Wels është ndaluar afër parkut Volksgarten. Ai ishte i mbuluar me gjak, agresiv dhe nën ndikimin e alkoolit dhe substancave narkotike. Edhe pse e kishte hedhur më parë thikën, ajo është gjetur nga policia.
Kosovari është dërguar me urgjencë në spital, ku është trajtuar për plagë të rënda trupore dhe një prerje në gishtin e madh. Ndërkohë, sulmuesi 24-vjeçar është dërguar në burgun e Linzit, ndërsa është proceduar penalisht edhe ndaj bashkëpunëtorit të tij 22-vjeçar.
Policia ka nisur një hetim të gjerë dhe po vazhdon identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë incident të rëndë që tronditi qendrën e Linzit.